PDK: Kushtetuta e Kaçanikut, akt historik i guximit dhe vendosmërisë për shtetësi
Partia Demokratike e Kosovës ka përkujtuar 35-vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Kaçanikut, duke e cilësuar këtë datë si një ndër momentet më të rëndësishme të historisë së re të Kosovës.
Në një postim në rrjete sociale, PDK thekson se miratimi i kësaj kushtetute më 7 shtator 1990 përtej aspektit juridik, përfaqësonte edhe vullnetin politik dhe unifikimin qytetar për një Kosovë të lirë dhe të pavarur.
“Miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, më 7 shtator 1990 në Kaçanik, përtej një akti juridik, ishte manifestim i guximit dhe vendosmërisë së popullit tonë për Kosovën Republikë”, thuhet në deklaratën e PDK-së.
Partia thekson gjithashtu se ky dokument historik përcaktonte jo vetëm bazat e shtetësisë, por edhe ishte një reagim i fuqishëm ndaj represionit dhe diskriminimit që përjetonte populli i Kosovës në atë kohë.
“Kushtetuta e Kaçanikut, jo vetëm që përcaktonte bazat e shtetësisë së Kosovës, por edhe shpërfaqte unifikimin qytetar kundër represionit e diskriminimit në rrethanat e atëhershme”.
PDK ka shprehur mirënjohje dhe nderim për të gjithë hartuesit dhe delegatët që morën pjesë në miratimin e këtij akti historik. /Telegrafi/






























