LAJMI I FUNDIT:

PDK dhe VV përplasen rreth Kryeshefit të AUV-it

PDK dhe VV përplasen rreth Kryeshefit të AUV-it

Deputetët e PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, Memli Krasniqi dhe Albulena Haxhiu janë përplasur rreth kryeshefit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës së Kosovës, Valdet Gjinovci.

Deputetja Haxhiu ka kërkuar shkarkimin e Gjinovcit, pasi që tetë vite është në krye të kësaj agjencie edhe pas shumë skandaleve. Sipas saj, nuk do të duhej të amnistohej kjo agjenci.


“Ne këtu flasim kot nëse në fund nuk vendosim për ta shkarkuar Valdet Gjinovcin, i cili që tetë vite është në krye të AUVK-së. Këtu është e papranueshme qasja për ta amnistuar atë person, sepse prokuroria do duhej të niste menjëherë hetimet në raport me shefin e AUVK-së, inspektoratin e tregut dhe doganave. Pra ne duhet t’i kërkojmë Haradinajt që ta shkarkojë atë”, tha Haxhiu.

Reagoi deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili tha se është e habitshme si deputetja Haxhiu është deputete dy mandate e nuk merr vesh asgjë nga ligjet.

“Me një kompromis, që mendoj që ka qenë i gabueshëm, është vendosur nën zyrën e kryeministrit dhe për fat të keq Ministria e Bujqësisë as në mandatin tim as tash nuk ka pasur kompetenca ndaj AUVK-së dhe e vetmja formë e bashkëpunimit ka qenë e vullnetit. E përmende çështjen e vaksinimit, Ministria s’ka pasur asnjë lidhje me atë dhe një ministër neglizhues kish mund të thotë se nuk është përgjegjësi e imja, sepse është dashur të merret zyra e kryeministrit me atë punë….tendenca që gjithçka zgjidhet me shkarkimin e një njeriu është tendencë politike, asgjë me shumë, është tendencë për të linçuar persona me shumë”, theksoi Krasniqi.

Por, deputetja Haxhiu reagoi përsëri, duke thënë se e merr seriozisht deputetin Krasniqi vetëm kur të përgjigjet nëse është pro shkarkimit të Gjinovcit.

“Pra, ky duhet të na tregojë a do të votojë për rekomandimin për shkarkimin e Gjinovcit dhe ky duhet të tregojë a do t’i kërkojë prokurorisë llogari dhe hetime në fakt në raport me përgjegjësit. Që tetë vite, edhe është i paprekshëm ai person, s’ka guxuar as Thaçi, sepse është njeri i tij, as Haradinaj, as Mustafa, pra vetëm atëherë kur t’i voton ta shkarkojmë këtë person gjitha masat tjera i ndërmarrim si Kuvend”, u shpreh Haxhiu.

Në debat u përfshi edhe deputetja tjetër e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila tha se tashmë e ka kuptuar që ‘alfa dhe omega’ e VV-së është Hashim Thaçi.

“Sinqerisht, po them që sa vite jam në politikë po e shoh që alfa dhe omega e politikbërjes së VV-së është Hashim Thaçi dhe bota juaj sillet komplet rreth Hashim Thaçit. Nëse ke qenë e vëmendshme dhe e ke dëgjuar fjalimin tim unë s’e kam amnistuar askënd. Përkundrazi kam qenë goxha shumë kritike dhe i kam kërkuar edhe hetuesisë, edhe prokurorisë edhe gjyqësisë”, tha Musliu.

Edhe ndaj Musliut, u përgjigj deputetja Haxhiu duke pyetur kolegen e saj nëse ka një emër konkret se cili është përgjegjësi për këtë situatë të krijuar. /KP /Telegrafi/