LAJMI I FUNDIT:

Pattoni më 1945 dhe Clarku më 1999: Dy shanset e humbura kundër Rusisë!

Pattoni më 1945 dhe Clarku më 1999: Dy shanset e humbura kundër Rusisë!

“… Bijt e Stalinit jemi ne / që çlirojmë botën anë e m’anë / e do t’valojë përmbi dhé / flamuri i kuq, flamuri partizan… ”!

Kështu këndonin injorantët që nuk dinin çka është komunizmi e as çfarë ka thënë Karl Marxi. Vet Lenini, në shënimet e tij, ka theksuar se asnjë revolucionar rus që e quante veten marksist s’e ka kuptuar Marxin. E, këtu duhet të ceket edhe frika që kishte Marxi, se doktrina e tij do të triumfojë së pari – siç e ka quajtur ai – në Rusinë barbare, ku mund të krijohen organizatat efikase me të rinj injorantë e me ndonjë apostull. Kjo ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë. Josif Stalini ka vdekur, mirëpo mendësia e tij u ringjallë nga Vladimir Putini.

“Vargjet” në fillim të shkrimit dëgjoheshin në Shkodër, kur në fund të vitit 1944 pushtetin e marrin kinse komunistët. Me “trobojkën” jugosllave brohoriteshin edhe këto fjalë: “Luaje, luaje goce këmbënë / t’ia q… gegës mëmënë”, “Hakmarrje rini” apo “Ide Tito preko Albanije”!


Se çfarë ka ndodhur në Shkodër e në Shqipëri nga “djemtë” e shumtë që Stalini i kishte në tokën tonë, këtë në mënyrën më të mirë e zbërtheu Zef Pllumi me veprën “Rrno vetëm për me tregue”. Ai dhe françeskanët tjerë të dijshëm e dinin se e zeza do ta pllakoste Shqipërinë; se Organizata e Kombeve të Bashkuara më shumë do të nxisë luftë sesa që do ta kundërshtojë atë; dhe se, pas Luftës së Dytë Botërore, gjysma e Evropës u fut në skllavëri. Për françeskanët nuk kishte shpresë se aleanca mes demokracisë e komunizmit – për ta mundur fashizmin e nazizmin – do të rezultojë me demokratizimin e komunizmit. Sepse, nëse horri e pasaniku jeton veç për të fituar, komunizmi është ai djalli që kur rri pa punë çohet e rrahë e mbytë fëmijët e vet. Për françeskanët kjo e zezë erdhi edhe nga Winston Churchilli që, për ta shkatërruar Gjermaninë, gjysmën e Evropës e gjysmën e kolonive ua dorëzoi rusëve.

Në fakt, historiani Sen McMeekin, në një shkrim të publikuar në revistën “The Spectator” ka shkruar se Churchili “i ka sakrifikuar interesat perandorake britanike për ta shpëtuar komunizmin sovjetik”. Sipas tij, Stalini përmes Churchillit “nuk ka mundur të gjejë një qeveri më miqësore britanike”. Natyrisht, Churchilli ka vepruar kështu meqë nuk ka mundur të luftojë me dy ligësi në të njëjtën kohë e, për të, ligësia më e madhe ishte Gjermania naziste (“në mes të komunizmit e nazizmit përcaktohem për komunizëm”). Prandaj, bashkë me presidentin amerikan Franklin D. Roosevelt (Konferenca e Jaltës, 1945) e dorëzoi edhe Poloninë për pushtimin e të cilës Britania e Madhe e bota u futën në luftë e pastaj në atë që u quajt Lufta e Ftohtë. Për shtetet e largëta baltike askush nuk e lodhi kokën. Problemi me Rusinë u la për më vonë duke shpresuar se “komunizmi është ëndërr që herët a vonë zgjohet në realitet”.

Por, sot dihet se cila ishte ligësia më e madhe. Vetëm në Ukrainë, nga uria (Holodomori), në vetëm dy vjet (1932-33) vdesin mbi katër milionë vetë. Sipas “Librit të zi të komunizmit”, në shekullin XX komunizmi i shkaktoi afro 100 milionë vdekje. Prandaj, nuk duhet kritikuar tërë kohën kryeministri britanik Neville Chamberlain që me Marrëveshjen e Munihut (1938) lëshoi pe ndaj Adolf Hitlerit. Ai ishte miop edhe ndaj krimeve të komunizmit. Miopë ishin edhe shumë intelektualë e sidomos gazetarë të shitur të Perëndimit (në mesin e të cilëve fituesi i Çmimit Pulitzer, Walter Duranty) që thoshin se në Bashkimin Sovjetik po ndodhte eksperimenti më i madh e më i rëndësishëm në historinë e njerëzimit. Ndërkaq, e vërteta është se, në Evropë, deri në fillimin e Luftës së Dytë Botërore, për më shumë se 20 vjet kryheshin krime të tmerrshme.

Perëndimi e ka dënuar një herë Rusinë me Luftën e Krimesë (1853-1856), por e toleronte ngritjen e këtij shteti që gjithmonë ka paraqitur rrezik për Evropën me ëndrrën për ta ngritur flamurin rus në “Carigrad” (Stamboll). Këtë e ka thënë edhe Dostojevski në ditarin e vet të shkruar në vitet 1873-1881 – pra edhe në kohën e luftës ruso-turke dhe të Kongresit të Berlinit: “… Nuk duhet ta bëjmë asnjë lëshim e as të kemi ndonjë konsideratë ndaj asnjë lloji të Evropës, pasi është jeta ose vdekja jonë – herët a vonë, Carigradi duhet të jetë i joni …”. Kështu, duke e toleruar ngritjen e Rusisë, u hesht edhe gjenocidi i parë i dokumentuar – për të cilin ende pakkush flet – kundër çerkezëve në vitet 1864-67 (vriten deri në 600 mijë, ndërsa në numër, sot, çerkezët janë shumëfish më shumë jashtë vendit të tyre të origjinës, Çerkezisë).

Perëndimi lëshoi pe edhe pas Luftës së Dytë Botërore, duke lejuar që Bashkimi Sovjetik me Josif Stalinin të bëhet superfuqi botërore. Por, Perëndimi lëshoi pe edhe në luftën e fundit në Kosovë, ndaj një Rusie të dobët të Boris Jelcinit, pa menduar për – siç thotë shkrimtari e dramaturgu rus Vladimir Sorokin, duke u bazuar në histori – rikthimin e piramidës mesjetare e pushtetit në Rusi, me një sundimtar të vetëm e mizor që mbijeton me frikën e të tjerëve. Kështu, duke mos nxjerr mësime nga e kaluara, rusët e shekullit XXI – siç ka paralajmëruar gazetarja e shkrimtarja e vrarë ruse, Anna Politkovskaya – janë të gatshëm të vrasim për çdo fjalë që nuk u pëlqen; besojnë që plumbi në kokë është mjeti më i thjeshtë dhe më i natyrshëm për ta zgjidhur çfarëdo lloj konflikti, sado i vogël qoftë; dhe se, në vend se të mbushin mushkëritë me ajër, ushqehen me gjakun e bashkatdhetarëve pa u dridhur qerpiku …

Por, ishin dy gjeneralë amerikanë që e kanë parashikuar rrezikun që vjen nga Rusia. I pari ishte George S. Patton, i cili më 1945 kërkoi armatim shtesë t’i largojë rusët nga Evropa Lindore. Kërkesa e tij nuk plotësohet. Atyre që e kanë parë filmin “Patton” (1970), mbase ju kujtohet fjalimi (i përpiluar nga disa thënie të Pattonit) që zbërthen shpirtin luftarak amerikan: “Dua që ju ta mbani mend se asnjë bastard nuk e ka fituar kurrë një luftë duke vdekur për vendin e vet. Ai e fiton atë duke e shtyrë atë bastardin tjetër tokmak që të vdesë për vendin e vet … Amerikanët nuk kanë humbur dhe nuk do ta humbasin kurrë asnjë luftë. Sepse, vet ideja për të humbur është diçka e urryer për amerikanët”. I dyti ishte gjenerali Wesley Clark i cili, si Pattoni, kërkoi që forcat ruse të largoheshin me dhunë nga Aeroporti i Prishtinës. As kërkesa e tij nuk u plotësua, ndonëse më vonë u kuptua se rreziku më i madh për Evropën sot, Vladimir Putini, ishte figura kryesore që kërkoi futjen e trupave ruse në Prishtinë dhe në Aeroportin e Prishtinës.

Megjithatë, paslufta e Dytë Botërore dhe Lufta e Kosovës dëshmuan se janë amerikanët dhe britanikët ata që kanë guximin dhe gatishmërinë ta përballin Rusinë. Ndërsa, e sotmja tregon se Pattoni e Clarku kishin të drejtë: Stalini është dashur të ndalohet më 1945. Hezitimi nuk i ka ndalur krimet. Këtë e dimë mirë ne, shqiptarët, që vuajtëm si nga komunizmi shqiptar ashtu edhe nga ai jugosllav. Sepse, ideologjia e krimit nuk njeh kombe. Më 1999 duhej të ndalohej edhe reinkarnimi i Stalinit, Putini, i cili po pas Luftës së Kosovës u ngjit në majën e pushtetit rus. Rusia duhej ta merrte një mësim përmes ushtrimit të forcës. Ky hezitim e trimëroi Putinin në Çeçeni, në Gjeorgji e në Siri (akte këto që kanë trimëruar edhe Serbinë). Ndërsa, sot, me luftën në Ukrainë shihet se çfarë ai njeri paraqet.

Historia na mëson se diktatorët e pësojnë nga njerëzit e vet dhe se do të harrohen po nga njerëzit e vet. Kjo është shpresa më e madhe për ndaljen e gjakderdhjes në Ukrainë dhe për mos eskalimin e luftës në vendet tjera, përfshirë Kosovën. Por, nga historia duhet të mësojmë se Rusia në periudha të caktuara është si arusha në hibernacion (gjumë dimri): sa herë zgjohet ka uri të madhe dhe është më e rrezikshme. Rusia, me gatishmërinë e përhershme të perëndimorëve për ta kundërshtuar fuqishëm, duhet të lihet përherë në hibernacion, sepse vështirë e ka të zgjohet në realitet.