Agjencia për Pronësi Industriale e Republikës së Kosovës ka miratuar dhe regjistruar patentën “Ventilatori Mekanik me Lidhje Rivepruese të Rregullimit”, një shpikje e profesor Arbnor Pajaziti nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Prishtinës.

Kjo pajisje inovative, e projektuar për të ofruar kontroll të avancuar të procesit të ventilimit, përfaqëson një hap të rëndësishëm teknologjik dhe ndërthur fushat e mekatronikës, mjekësisë dhe industrisë. Pajisja mund të përdoret në ambiente ku kërkohet monitorim dhe rregullim i saktë i ventilimit mekanik.


Në zhvillimin e saj ka kontribuar edhe inxhinieri Petrit Abdyli, i diplomuar në nivelin master në të njëjtin fakultet. Aplikimi për patentë ishte bërë në shkurt të vitit 2024, ndërsa ajo do të jetë e vlefshme deri më 2 shkurt 2044.

Ideja për ndërtimin e këtij ventilatori mekanik u zhvillua gjatë pandemisë së Covid-19, kur në mbarë botën kishte mungesë të pajisjeve mjekësore për frymëmarrje të asistuar. Projekti u financua nga Bashkimi Evropian dhe Rektorati i Universitetit të Prishtinës, në një periudhë kur mësimi zhvillohej online dhe rritja e kapaciteteve teknologjike ishte thelbësore.

Patenta e re dëshmon se Universiteti i Prishtinës dhe njësitë e tij akademike po ecin krah zhvillimeve moderne teknologjike dhe po kontribuojnë me projekte konkrete në inovacionin shkencor.

Shpikja e profesor Pajazitit vlerësohet si një prej arritjeve më të rëndësishme të vitit 2024 në fushën e inxhinierisë dhe teknologjisë në Kosovë.