LAJMI I FUNDIT:

Pasion shqiptar me precizitet zviceran

Pasion shqiptar me precizitet zviceran

Të shtunën mbrëma, Elina Duni për herë të parë ka performuar në Beograd, për publikun e këtushëm që ishte i përbërë nga shqiptarë të Beogradit dhe dashamirë të tjerë të xhazit në kryeqytetin serb. Një sallë me rreth 200 ulëse, ishte mbushur mbi dy të tretat e saj. Aty u dëgjua muzika shqipe e lozur me precizitet zviceran, nga bendi i Elinës: Colin Vallon, Patrice Moret dhe Norbert Pfamater.

Për pianistin Vallon ishte interesante të luhej muzika shqipe, e bashkëdyzuar me një trashëgimi botërore të xhazit.


“Nuk mund të them se sjellim ndonjë element të muzikës folklorike zvicerane, mirëpounë jam lindur në Zvicër dhe të gjithë jetojmë atje, kështu që duhet të ketë ndonjë ndikim. Ka ndikim nga tërë bota pasi është xhaz. Janë më shumë katër personalitete që përbëjnë një tërësi”, shpjegoi ai.

Koncerti i Elina Dunit në Beograd është mbajtur në kuadër të një turneu të prezantimit të xhazit zviceran në Ballkan,. Gjatë këtij turneu janë mbajtur koncerte në Tiranë, Shkup, Prishtinë dhe Beograd. Për Vallonin kjo është një “deklaratë interesante politike, pasi nuk është zgjedhur për shembull gjuha retroromashe po ajo shqipe që të merr pjesë në këtë turne”!

Albumi i ri i Elinës ka 12 këngë të vjetra shqiptare të punuara në xhaz mbi dashurinë dhe mërgimin. Për Elinën, miksi është zvicerano-shqiptar pasi në vete përmban punën e tre zviceranëve dhe një shqiptareje që këndon në shqip.

“Ajo që është zvicerane është kultura e xhazit, përpikshmëria, delikatesa, detaji, rafinimi. Ajo që është shqiptarë është zjarri, pasioni, patosi. Besoj se bashkimi i këtyre dyjave e bënë këtë grup të vecantë”, ka thënë ajo.

Koncerti i Elinës u vonua për gjysmë ore pasi udhëtimi që është dashur të zgjasë për katër orë ka zgjatur 12 të tëra. Zviceranët janë nisur për në Serbi përmes rrugës të cilën BE-ja dëshiron ta kthejë në autostradë, e që do të lidhte Prishtinën me Nishin. Mirëpo, edhe në rastin e Elinës u dëshmua se ky investim i BE-së do të jetë valid vetëm për serbët dhe shqiptarët e Kosovës, pasi askush tjetër nuk mund të futet në Serbi nëpërmes këtij kalimi kufitar, nëse nuk ka një vule hyrëse serbe.

Kështu, autobusi me muzikantë dhe instrumente u nis në ora 6:00 të mëngjesit për në Beograd dhe u detyrua të kthehet prapa në Merdare. Edhe atyre ju ndodhi sikur edhe pjesës tjetër të botës: nëse dëshiron të shkosh në Serbi nëpërmes Malit të Zi, Maqedonisë apo Shqipërisë, nuk do të mund ta shfrytëzoje këtë korridorin e promovuar nga BE-ja, se do hasni në “nema peçat, problem” (nuk ka vulë, problem)!

Kështu, bendit dhe Elinës ju ka dashur që të shkojnë në IRJ të Maqedonisë, në drejtim të Shkupit, Kumanovë, Bujanoc dhe në rrugë për Beograd, që morri sikur të udhëtohej Prishtinë-Vjenë.

Elina në koncert tha se shpreson se “xhazi do të na bashkojë”, mirëpo përvoja e saj tregon se negociatat dhe investimet e BE-së në infrastrukturë rrugore do të ishin shumë të hershme dhe me pak ndikim rajonal nëse nuk trajtohen çështjet “banale” administrative.