“Pasi ajo e ka falur, kush jemi ne ta gjykojmë" - Samir Nasri del në mbrojtje të Mason Greenwood

Ish-ylli i futbollit francez, Samir Nasri, beson se Mason Greenwood nuk duhet të dënohet për akuzat e rënda nga e kaluara, sidomos pasi partnerja e tij e ka falur atë.
Kujtojmë se sulmuesi i Marseilles dikur u akuzua për tentativë përdhunimi, sjellje të detyruar dhe dhunë, por të gjitha akuzat u rrëzuan në shkurt të vitit 2023, kur ai ishte ende pjesë e Manchester United, raporton Goal.com.
Pavarësisht heqjes së akuzave, Manchester United zhvilloi një hetim të brendshëm dhe vendosi që Greenwood të mos luante më për klubin.

Pak para largimit drejt Getafes në huazim, sulmuesi doli me një deklaratë publike, ku pranoi se kishte bërë “gabime” në marrëdhënien e tij dhe se mbante përgjegjësi morale për situatat që kishin çuar në publikimin e materialeve në rrjetet sociale.
Ai theksoi se nuk i kishte kryer veprat për të cilat akuzohej, por pranoi gabime në sjellje dhe kërkoi një fillim të ri, larg “Old Trafford”, për të mos krijuar shpërqendrim.
Greenwood falënderoi familjen dhe Manchester United për mbështetjen dhe tha se synonte të bëhej “një futbollist më i mirë, një baba më i mirë dhe një njeri më i mirë”.
Nasri: Nëse ajo e ka falur, kush jemi ne ta gjykojmë?
Greenwood u transferua përfundimisht te Marseille në verën e vitit 2024 dhe është shndërruar në një nga yjet e ekipit.
Ai dhe partnerja e tij Harriet Robson – e cila dikur e kishte denoncuar – tani kanë dy fëmijë së bashku. Tema e së kaluarës u rikthye sërish në vëmendje para ndeshjes së Ligës së Kampionëve mes Marseilles dhe Newcastle, dhe Samir Nasri e shprehu hapur mendimin e tij në Canal+.
“Nëse ajo (Harriet Robson) e ka falur… kush jemi ne që ta gjykojmë? Nëse gruaja jote të fal, edhe ne mund të të falim. Nëse ajo s’do ta kishte falur dhe ai do të ishte shpallur fajtor e dënuar në Angli, atëherë do të ishte ndryshe”, deklaroi Nasri.

De Zerbi i del në mbrojtje: Ai pagoi një çmim të lartë
Trajneri i Marseilles, Roberto De Zerbi, gjithashtu e mbrojti lojtarin e tij 24-vjeçar. Sipas tij, Greenwood është një njeri i qetë dhe i sjellshëm, i cili ka paguar tashmë mjaftueshëm për gabimet e së kaluarës.
“Nuk hyj në jetën private të lojtarëve, por ai është një njeri i mirë. Ai pagoi një çmim të lartë për atë që ndodhi. Ka ardhur në ambientin e duhur, është sjellë mirë dhe unë e njoh ndryshe nga mënyra si u portretizua në Angli”, u shpreh trajneri italian.

Një fillim i ri dhe formë e jashtëzakonshme në Francë
Greenwood pati një sezon të shkëlqyer të kaluar dhe këtë edicion ka vazhduar në të njëjtin ritëm.
11 gola dhe 4 asiste në 17 paraqitje, duke e shndërruar veten në një nga lojtarët më vendimtarë të Ligue 1. Marseille, ekipi i De Zerbit, renditet në vendin e dytë, vetëm dy pikë prapa PSG-së.

Sulmuesi anglez është lidhur me disa nga klubet më të mëdha të Evropës, por për momentin mbetet tërësisht i përqendruar te Marseille dhe ambiciet e skuadrës në kampionat dhe në Evropë. /Telegrafi/



















































