Pasagjeri pa përvojë fluturimi uli aeroplanin pasi piloti ishte i paaftë

Një pasagjer pa asnjë përvojë fluturimi uli në mënyrë të sigurt një aeroplan në një aeroport në Florida pasi piloti u bë i paaftë.
Administrata Federale e Aviacionit po hetonte incidentin, i cili ndodhi pasditen e së martës. Besohet se pilotit iu përkeqësua gjendja shëndetësore.
Në një deklaratë, FAA tha se dy pasagjerë ishin në bordin e Cessna 208 me një motor.
Një pasagjer e drejtoi aeroplanin privat pa probleme për në aeroportin ndërkombëtar të Palm Beach.
Sipas audios së LiveATC.net, pasagjeri i tha kontrollit të trafikut ajror se “kam një situatë serioze këtu. Piloti im është bërë jokoherent dhe unë nuk e kam idenë se si ta drejtoj aeroplanin”.
Kontrolluesi i trafikut ajror e pyeti pasagjerin se cili ishte pozicioni i tij. Ai u përgjigj, “nuk e kam idenë. Unë shoh bregdetin e Floridës përballë meje dhe nuk e kam idenë”, transmeton Telegrafi.
"Përpiquni të ndiqni bregdetin ose në veri ose në jug", tha kontrollori duke shtuar se "ne po përpiqemi t'ju gjejmë."
Pas katër minutash, pasagjeri pyeti “A më keni gjetur mua? Nuk mund ta aktivizoj as ekranin tim të navigimit. Ka të gjitha informacionet mbi të. A keni ndonjë ide për këtë?”
Kontrolli i trafikut ajror e gjeti aeroplanin, i cili ishte jashtë Boca Ratonit.
Kontrolluesi i trafikut ajror vazhdoi ta udhëzonte pasagjerin gjatë aterrimit, duke i thënë, "përpiquni t'i mbani krahët në nivel dhe të shihni nëse mund të filloni të zbrisni - shtyni përpara komandën dhe zbrisni me një ritëm shumë të ngadaltë".
Në videon e siguruar nga CNN, aeroplani mund të shihet duke u ulur ngadalë dhe pa probleme.
Në një regjistrim të veçantë, një tjetër kontrollues i trafikut ajror mund të dëgjohet duke u thënë pilotëve "Sapo keni parë disa pasagjerë duke e ulur atë aeroplan". /Telegrafi/








































