Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar sot zyrën e Postës së Kosovës në qendër të qytetit të Zveçanit, pas qëndrimit të tij në Leposaviq.

Së bashku me të ishte edhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Kryesuesi i Bordit të Postës së Kosovës, Gëzim Paci, dhe Kryeshefja e Postës së Kosovës, Nora Rraci.


“Zyra e Postës së Kosovës në Zveçan, e hapur më 31 mars 2025, ishte objekt sulmi me granatë dore në fillim të muajit prill. Megjithatë, përkundër dëmeve materiale të shkaktuara nga ky sulm, zyra ka rifilluar shërbimet e saj brenda më pak se dy ditësh, duke dëshmuar qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë e Postës dhe institucioneve të Kosovës”, thuhet në njoftimin për media.

Kjo është një nga tri zyrat e Postës së Kosovës në këtë komunë, që ofron shërbime universale postare, si dhe shërbime financiare, përfshirë pagesat dhe shërbimet e shpejta express, si në trafikun vendor ashtu edhe ndërkombëtar.

Kurti ka falënderuar punonjësit e Postës për mikpritjen dhe ka përgëzuar Ministrinë e Ekonomisë dhe Postën e Kosovës për përpjekjet e tyre për zgjerimin e shërbimeve postare në gjithë territorin e Kosovës.

Ai e vlerësoi performancën e Postës së Kosovës, e cila pas periudhës së humbjeve të mëdha financiare në vitet 2016-2021, ka arritur një fitim prej 260 mijë eurosh në vitin e kaluar.

“Ne e dimë mirë që në vitet 2016 deri në vitin 2021 ka pasur humbje të gjithmbarshme prej 9.3 milionë euro, ndërsa vitin e kaluar e kemi mbyllur me fitim prej 260 mijë euro. Ky është një sukses i jashtëzakonshëm i menaxhimit të mirë dhe të suksesshëm të Postës së Kosovës,” tha Kurti gjatë vizitës.

Ai po ashtu e theksoi se, megjithë ngjarjen e rëndë të sulmit me granatë dore, Posta e Kosovës vazhdon të ofrojë shërbime të rëndësishme për qytetarët, duke e bërë këtë institucion një vend të sigurt dhe të besueshëm.

"Ky vend nuk është i granatave dhe bombave, por i letrave, pusullave dhe mallrave, dhe natyrisht, i dërgesave financiare," tha Kurti.

Në përfundim, kryeministri në detyrë theksoi rëndësinë e përhapjes së shërbimeve publike për qytetarët, duke përfshirë ndërmarrjet dhe bizneset e ndryshme që operojnë në këtë rajon. /Telegrafi/