Pas sfidave me shëndetin, atleti Tirron Mamusha u rikthehet garave

Sporti është një nga fushat e cila ndikon pozitivisht në shëndetin tonë, por pjesë e kësaj fushe janë edhe sfidat shëndetësore me e lëndime me të cilat përballen shumë sportistë. Me një sfidë të vështirë të shëndetit, që nga qershori i vitit të shkuar e deri në janar të këtij viti është përballur atleti Tirron Mamusha, sfidë shëndetësore kjo e cila atij ia ka pamundësuar pjesëmarrjen në gara.
"Në muajin qershor të vitit të kaluar, kam pasur problem shëndetësor, ku kam kaluar në fazën e shërimit nga tuberlkulozi, ku fillimisht kam filluar me terapi për rreth 6 muaj, që ka qenë e rekomanduar nga sistemi shëndetësor. Pas 6 muajve kam filluar të aktivizohem në sport, ku fillimisht muaji i parë ka qenë shumë i vështirë për shkak se terapia ka qenë shumë e rëndë pasi për 6 muaj me radhë kam përdorur vetëm antibiotikë, e më pas kam pasur problem edhe me peshën, pasi shtova rreth 15 kilogramë, dhe për mua ka qenë çdo gjë pothuajse e re, sepse nuk e kam ditur se a do të mund të kthehem ndonjëherë në sport, dhe në formën që kam qenë”, tha fillimisht Mamusha për Telegrafin.
Tutje, Mamusha potencoi, që në një moment ka qenë në dyshim nëse duhet të vazhdojë të merret me sport akoma apo jo.
“Pjesa e janarit ka qenë në pikëpyetje, nëse dua ta vazhdoj të merrem me sport apo jo, por pas kampit përgatiror në Madrid, jam kthyer me më shumë vetëbesim, dhe në një farë forme jam rimbushur si në formë psiçike, si në formë fizike, dhe menjëherë pastaj kam vendosur që ta sfidoj vetën time në garën time të parë.”, potencoi Mamusha.
Intervistën e plotë me atletin Tirron Mamusha, mund ta gjeni të bashkangjitur më poshtë. /Telegrafi/


















































