Pas rritjes së vlerave të manganit në Liqenin e Badocit, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka ndalur përkohësisht furnizimin me ujë nga ky burim dhe ka filluar shpërndarjen e ujit të pijshëm përmes autobotëve në disa zona të kryeqytetit dhe rrethinës.

KRU “Prishtina” ka bërë të ditur se autobotët “Auto Boti MERCEDES” dhe “CISTERNA LEYLAND” janë vendosur në terren sipas orareve të caktuara për zonën e Hajvalisë dhe Prishtinës, me qëllim të garantimit të furnizimit me ujë të pijshëm për banorët e prekur.


Zonat që furnizohen me autobotë përfshijnë: Hajvalia, me ndalesa në lagje të ndryshme si Arbanaia, Dëshmorët e Gollakut, Qallavica, Veterniku etj.

Zona e Prishtinës me pika si Jakov Xoxa, Shaqir Igritsha, Ali Sokoli, Sokol Sopi, Holgen Petersen, Ndue Perlleshi e të tjera.

Shpërndarja bëhet në dy ndërrime gjatë ditës, me orare të detajuara që varen nga adresa.

Kompania ka sqaruar se fleksibiliteti i orarit mund të ndikohet nga ngarkesa në trafik, kushtet teknike të autobotëve dhe gjendja e rrugëve dhe terrenit gjatë shpërndarjes

KRU “Prishtina” mbetet në kontakt të vazhdueshëm me IKSHPK-në dhe është duke monitoruar vazhdimisht gjendjen e ujit, derisa furnizimi nga Liqeni i Badocit të rikthehet në normalitet. /Telegrafi/