Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, ka anuluar mbledhjen e fundit të Kuvendit komunal të datës 3 prill. Kjo, pasi Telegrafi, ditë më parë pati raportuar se kjo mbledhje nuk përmban efekte juridike duke u bazuar nenin 43 të Ligjit Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale pasi që kuvendarët nuk janë njoftuar 7 ditë pune para mbajtjes së mbledhjes.

Rreth kësaj çështje patën reaguar edhe monitoruesit e shoqërisë civile të organizatave  “Avonet” dhe “YAHR” duke iu drejtuar MAPL-së me shkresa zyrtare.


Burime brenda MAPL-së i kanë thënë Telegrafin se komuna e Shtimes tashmë e ka pranuar një shkresë në e-mail në të cilën sqarohet se aktet  e miratuara në këtë mbledhje dhe të dërguara në MAPL për vlerësim të ligjshmërisë, nuk i nënshtrohen shqyrtimit të ligjshmërisë dhe si të tilla nuk prodhojnë efekt juridik.

Ndërkohë, komuna e Shtimes ka thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme për të premten më 2 maj, me qëllim që të miratohen të njëjtat pika të rendit të ditës dhe që parashihej dhënia e pronave komunale në shfrytëzim afatgjatë për një biznes i cili edhe në të kaluarën ka përfituar prona të tilla në afërsi të qytetit.

Lidhur me këtë çështjen, Telegrafi ka mësuar se tashmë është deponuar edhe një lëndë në prokurori për të hetuar.

Në shkresën e dërguar Komunës së Shtimes nëpërmjet E-mailit, të cilin e ka siguruar Telegrafi nga burime brenda kësaj ministrie, midis të tjerash thuhet se, “I nderuar kryesues, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, me datë: 28.03.2025, ka pranuar ftesën për  mbledhjen e Kuvendit të Komunës të caktuar më datën 03.04.2025.  Në të njëjtën datë ftesa ju është shpërndarë edhe anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Shtimes. Ndërsa nga komuna e Shtimes jemi njoftuar se ftesa anëtarëve të Kuvendit të Komunës dhe MAPL-së, ju është dërguar me datë: 26.03.2025, por për shkak të ngarkesave dhe materialit voluminozë disa anëtarëve të Kuvendit të Komunës dhe MAPL-së nuk ju ka shkuar në adresë të tyre për këtë arsyeje ftesa dhe materialet janë ripërsëritur me datë:: 28.03.2025. Njoftimi për mbajtjen e mbledhjes së Kuvendit të Komunës nuk është bërë në pajtim me nenin 43 pika 43.3, të Ligjit Nr.03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale i cili përcakton se të gjithë anëtarët e kuvendit te komunës duhet të njoftohen paraprakisht me shkrim, shtatë (7) ditë pune para mbajtjes se mbledhjes’’, thuhet në E-mail.

Më tej, sqarohet se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, “Ju njofton se aktet  e miratuara në këtë mbledhje dhe të dërguara në MAPL për vlerësim të ligjshmërisë, nuk i nënshtrohen shqyrtimit të ligjshmërisë dhe si të tilla nuk prodhojnë efekt juridik, marrë parasysh se edhe në të kaluarën komunës së Shtimes, ju është kërkuar të respektohen afatet për thirrjen e mbledhjes konfom dispozitave ligjore. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal mbetet në dispozicion të komunës për çfarëdo sqarimi të mëtejmë në lidhje me këtë njoftim. P.S . të njëjtën shkresë njoftuese do të pranoni edhe zyrtarisht”, thuhet në shkresë.

Lidhur me thirrjen e një mbledhje të re të jashtëzakonshme për të premten, ka reaguar sërish organizata joqeveritare “YAHR” e cila monitoron zhvillimet e KK-së në Shtime.

“Pas ankesës së paraqitur nga Youth Association for Human Rights (YAHR) lidhur me shkeljet procedurale në njoftimin dhe mbajtjen e mbledhjes së Kuvendit Komunal të Shtimes më 3 prill 2025, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka ndërhyrë për të garantuar respektimin e ligjit. Si rezultat i këtij angazhimi për transparencë dhe ligjshmëri, mbledhja e Kuvendit Komunal të Shtimes do të ripërsëritet si mbledhje e jashtëzakonshme më 2 maj 2025. YAHR vazhdon të jetë e përkushtuar në monitorimin e funksionimit të pushtetit lokal dhe në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve për institucione transparente dhe llogaridhënëse”, thuhet në reagimin e YAHR-s.

Po ashtu reagime ka pasur edhe nga organizata “Avonet” të cilët kanë kërkuar nga komuna e Shtimes që mos të marrin vendime të ngutshme dhe politike pa u shqyrtuar paraprakisht të gjitha rrugët ligjore. Kjo organizatë ka shprehur mirënjohje për reflektimin e MAPL-së në këtë rast.

Në anën tjetër në një përgjigje të shkurtër me shkrim, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Shtimes, Adnan Ademi, ka thënë se, “Ju njoftoj që seanca do të mbahet me dt. 02 Maj ditë e Premte dhe aty e kupton të gjithë rrjedhën”, thuhet shkurt në përgjigjen e Ademit./Telegrafi/