Në prag të marrjes së vendimit për shtrenjtimit apo jo të çmimit të energjisë elektrike, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), ka mbajtur sot një takim me mediat.

Në këtë takim është diskutuar për procesin e vendosjes së tarifave të reja të energjisë.


Drejtor menaxhues në ZRRE, Petrit Pepaj fillimisht kërkoi që takimi të mbahet pa kamera, mirëpo një gjë e tillë nuk ndodhi pasi që mediat insistuan që çdo gjë të jetë transparente.

Pepaj tha se ky takim ka për qëllim që të informohen saktë gazetarët rreth ZRRE-së dhe paqartësive që mund të kenë.

Në këtë takim u bë e ditur se 396 qytetarë kanë dërguar komente te ZRRE dhe të njëjtit kanë njoftuar se përgjigjet do t'i marrin ndërkohë.

Po ashtu u treguan edhe disa nga shkaktarët e rritjes së tarifës së energjisë elektrike, të cilat janë rritja e çmimit në Bursa dhe çmimi i importit të energjisë.

Gjithashtu ZRRE deri më 10 prill do të mbaj takime konsultative me Avokatin e Popullit, Odën Ekonomike, Presidencën, Qeverinë e Kosovës, e me shumë të tjerë.

Ndryshe, ZRRE ka paralajmëruar rritje për 15 për qind, nga ky muaj, të faturave të energjisë elektrike.

Më 5 prill në Prishtinë është mbajtur protestë nga grupi “Asnjë Cent ma Shumë”, duke kërkuar që të mos merret vendim për shtrenjtimin e energjisë elektrike. /Telegrafi/