Pas Pecit, edhe kryeshefi i AUV-it po intervistohet rreth dyshimeve për fabrikën për mbetje shtazore

Drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Bekim Hoxha, ka nisur të intervistohet nga Njësia e Veçantë e Hetimeve në Policinë e Kosovës, në kuadër të hetimeve për një rast të dyshuar të keqpërdorimeve në tenderin për funksionalizimin e objekteve për përpunimin e nënprodukteve shtazore.
Lajmin e ka konfirmuar avokati i tij, Artan Çerkini.
Ndërkaq, për Telegrafin prokurori i rastit Admir Shala, ka bërë të ditur se hetimet për këtë çështje përfshijnë edhe ministrin në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, i cili tashmë është intervistuar nga organet e hetuesisë në lidhje me rastin.
“Po është duke vazhduar ende intervistimi. I njëjti është duke u intervistuar në cilësinë e të pandehurit”, ka thënë Shala.
Në kuadër të hetimeve, janë kryer bastisje në disa lokacione të ndërlidhura me këtë tender.
Mes tyre janë përfshirë ambientet e Ministrisë së Bujqësisë, AUV-it, Agjencisë për Zhvillim Bujqësor, si dhe lokacioni i kompanisë që ka përfituar kontratën.
Hetimet po zhvillohen nën dyshimet për shkelje të procedurave të prokurimit dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Organi i hetuesisë nuk ka dhënë ende detaje të mëtejshme lidhur me të dyshuarit apo masat e mundshme që do të ndërmerren.
Hulumtimi i “Kallxo” ka zbuluar një sërë parregullsish në procesin e dhënies së kontratës për funksionalizimin e fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore. Në bazë të hulumtimit, kontrata 20-vjeçare i është dhënë një kompanie të regjistruar vetëm pak ditë pas shpalljes së thirrjes nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.
Qeveria e Kosovës do ta subvencionojë kompaninë me 0.16 euro për trajtimin e çdo kilogrami të mbetjeve shtazore.
Në bazë të planit të biznesit të kompanisë fituese është paraparë të përpunohen 5 milionë kilogramë mbetje në vit, që përkthehet në një subvencion vjetor prej 800 mijë eurosh nga buxheti apo 16 milionë për 20 vjet. /Telegrafi/









































