Pas dështimit të votimit të Qeverisë, Cakolli tregon hapat kushtetues që çojnë drejt zgjedhjeve të reja

Pas dështimit të votimit të Qeverisë së propozuar nga mandatari Albin Kurti, njohësi i çështjeve zgjedhore, hulumtuesi i KDI-së, Eugen Cakolli, ka shpjeguar hapat e ardhshëm kushtetues që pritet të pasojnë.
Ai thekson se Kosova tashmë ka hyrë në fazën e dytë të procedurës për formimin e Qeverisë, siç përcaktohet me Kushtetutë dhe me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Cakollit, Presidentja e vendit është e detyruar që të zhvillojë konsultime me të gjitha partitë dhe koalicionet parlamentare për të vlerësuar cila prej tyre ka më shumë gjasa të formojë shumicën në Kuvend. Ai kujton se Gjykata Kushtetuese e ka bërë të qartë se ky proces nuk është formalitet, por duhet të reflektojë një mundësi reale për të siguruar shumicën prej 61 votave.
“Pas përfundimit të konsultimeve brenda afatit 10-ditor, Presidentja duhet të vendosë se kujt do t’ia japë mandatin e dytë për formimin e Qeverisë. Ky është momenti më i ndjeshëm politikisht dhe juridikisht, sepse Presidentja nuk ka diskrecion të pakufizuar – ajo duhet të bazohet në kriterin e ‘gjasës më të madhe për të formuar Qeverinë’, pavarësisht nëse ajo parti është apo jo fituese e zgjedhjeve”, shpjegon Cakolli.
Sipas tij, mandati i dytë mund t’i jepet sërish partisë fituese, nëse ajo deklaron gatishmëri për shumicë, ose ndonjë partie tjetër që paraqet prova konkrete për mbështetje parlamentare.
Por, Cakolli paralajmëron se në rast se asnjë parti nuk pranon mandatin, procesi humb qëllimin e tij politik dhe Presidentja është e detyruar të ndërmarrë veprimet për shpërndarjen e Kuvendit.
“Nëse asnjë subjekt nuk shpreh gatishmëri për të marrë mandatin e dytë, Presidentja, pasi ta konstatojë mungesën e vullnetit për formim të Qeverisë, ka të drejtën dhe detyrimin kushtetues për të shpërndarë Kuvendin dhe për të shpallur zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditësh nga shpërndarja”, thekson ai.
Cakolli shton se Kushtetuta ofron një rrugë të qartë për dalje nga bllokadat, por ajo varet nga ekzistenca e vullnetit politik.
“Në mungesë të këtij vullneti, zgjedhjet e reja janë mënyra kushtetuese për rikthimin e legjitimitetit politik dhe institucional”, përfundon ai.
Sipas afateve të përllogaritura nga Cakolli, nëse shpejt konstatohet mungesa e shumicës për formimin e Qeverisë, zgjedhjet e reja mund të mbahen më 30 nëntor, 7 dhjetor ose 14 dhjetor, në varësi të datës kur Presidentja shpall zgjedhjet.










































