Pas dështimit për kryetare, Albulena Haxhiu bëhet nënkryetare e Kuvendit - përqafim me Dimal Bashën pas votimit

Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur sot kryetarin e ri, Dimal Basha nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV). Për zgjedhjen e tij votuan edhe deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Propozimi i Bashës nga LVV erdhi pas disa muajsh bllokimi institucional, ku Kuvendi kishte mbetur pa u konstituar, transmeton Telegrafi.
Fillimisht, LVV kishte propozuar Albulena Haxhiun për postin e kryeparlamentares, por ajo nuk mori mbështetjen e partive tjera. Më pas, për të njëjtin post u propozuan Donika Gërvalla, Hekuran Murati dhe Arbërie Nagavci, por asnjëri prej tyre nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme.
Në përpjekjen e 58-të, emri i Dimal Bashës mori mbështetjen e nevojshme për t’u zgjedhur kryetar i Kuvendit.
Po ashtu, Kuvendi ka zgjedhur edhe tre nënkryetarët nga subjektet më të mëdha politike: Albulena Haxhiu nga LVV, Vlora Çitaku nga PDK dhe Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Pas votimit, Albulena Haxhiu mori vendin e saj si nënkryetare, ndërsa nuk mungoi një përqafim mes saj dhe kryeparlamentarit të sapozgjedhur, Dimal Basha.
Seanca po vazhdon me zgjedhjen e nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë. /Telegrafi/




















































