Partitë të bien në ujdi për presidentin e ri

“E pres me padurim këtë udhëtim të radhës për një arsye të posaçme. Viti i kaluar nuk ishte viti më i mirë për procesin e integrimit të Shqipërisë. U humb kohë në çështjet e brendshme dhe mungesa e gjithëpërfshirjes në proces është parë si një plagë e infektuar më vete, këtu në Bruksel”, tha Fule, raporton Top Channel.
“Por, më pas, në nëntor, pati një mirëkuptim të rëndësishëm. Pati një ripërtëritje të angazhimit nga të gjitha palët e interesuara në vend për një sërë çështjesh të procesit evropian. Gjërat nuk janë ende perfekte me siguri, por ata po ecin në drejtimin e duhur. Kështu që, unë po shkoj atje, jo për të adresuar çështjet dhe problemet e së kaluarës, por së pari për të çmuar atë që pelikanët po japin ndaj pritshmërive, jo të Brukselit, por të qytetarëve shqiptarë”.
Mbi zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës, komisioneri Fule pret që partitë politike të bien në ujdi. “Ata nuk do të mund të dëgjojnë prej nesh se çfarë duhet të bëjnë ekzaktësisht. Ne nuk kemi për qëllim që të imponojmë këtë apo atë rrugëdalje. Gjithsesi, ajo që do të nënvizoj në Tiranë është që roli i presidentit është i rëndësishëm, madje edhe me sistemin shqiptar. Ai duhet të jetë president i gjithë shqiptarëve. Ai është garanti, jo vetëm i kushtetutshmërisë, por reflekton gjithashtu këndvështrimet, apo shqetësimet jo vetëm të elektoratit të një partie, por të gjithë shqiptarëve. Ai duhet të jetë një element i rëndësishëm në kuadrin gjithëpërfshirës për reformat e hapat e ardhshëm që lidhen me zgjerimin. Ndaj, shpresoj shumë se të gjitha palët e interesuara, të gjitha partitë politike do të bëjnë një ujdi të tillë që të garantojnë se Presidenti i ri shqiptar do të reflektojë pritshmëritë“, ka theksuar Fule. /Telegrafi/


















































