Në memoaret “Paris: The Memoir” ajo ka përshkruar përvojat traumatike të rinisë, përfshirë abuzimin në internate. Paris ka marrë rol aktiv në protesta dhe iniciativa për mbylljen e shkollave ku ka pasur abuzime

Nëse keni menduar se e dini gjithçka për trashëgimtaren e zinxhirit të hoteleve luksoze, Paris Hilton, gaboheni. Ajo ka jetuar thuajse gjithë jetën nën syrin e publikut dhe zëri i saj i ëmbël është bërë i njohur për të gjithë, por sot para nesh qëndron një person krejt tjetër, një grua e pjekur, një biznesmene serioze dhe nënë e dy fëmijëve. Ajo ka gjetur shpirtin e saj binjak, Carter Reum.


Etiketa “tepër konfidenciale” paralajmëroi në vitin 2023 një narrativ krejt të ri sa i përket jetës së Paris Hilton. Në librin “Paris: The Memoir”, ajo është kthyer thellë në të kaluarën, duke përshkruar në detaje jo vetëm momentet e ndritshme dhe luksoze që i ka përjetuar si vajzë e privilegjuar e shoqërisë së lartë, por edhe metodat jo konvencionale të edukimit, qëndrimin në internate ku adoleshentët problematikë e kanë keqtrajtuar, lidhjet e trazuara dhe, më në fund, takimin me një njeri krejt ndryshe nga të gjithë burrat me të cilët kishte qenë më herët.

Paris Hilton ende vozit makina rozë, mban qenin e racës Chihuahua dhe si DJ luan muzikë në festivale prestigjioze, por me memoaret e saj intime ajo ka dashur t’i tregojë publikut se është shumë më tepër se kaq, transmeton Telegrafi.

Prindërit e Paris Hilton e dërguan në “Provo Canyon School”, një internat kontrovers për të rinj problematikë, duke shpresuar se do ta frenonin shpirtin e saj rebel dhe sjelljet e papërshtatshme. Por askush nuk e kishte pritur se ajo do të përjetonte aty momentet më të këqija dhe më të dhimbshme të jetës. Në memoare ajo ka përshkruar në detaje abuzimin në atë institucion.

“Do t’i gëlltisja pilulat dhe do të shikoja murin, me maskën e një modeleje të përsosur. Çfarëdo që më jepnin, më bënte të ndihesha sikur koka më ndahej nga trupi. Kjo më trembte, ndaj shpesh i fshihja kapsulat nën gjuhë dhe prisja momentin t’i pështyja. Stafi kishte të preferuarit e vet, gjithmonë vajza të bukura. Por s’besoj se kishte të bënte me bukurinë. Besoj se ishin njerëz të dobët në botën e jashtme, burra e gra, që kënaqeshin me pushtetin që kishin mbi ne. Na çonin në ambulancë dhe na detyronin të shtriheshim në tavolinë. Na urdhëronin të hapnim këmbët për gishtat e tyre të trashë. Nëse kundërshtonim, afër ishte një tabaka me shiringa. Nuk e di çfarë kishte në to, por pashë fëmijë që rrëzoheshin përdhe sapo injektoheshin”, ka rrëfyer Paris.

Ajo kishte folur për këtë përvojë të tmerrshme edhe më parë, në dokumentarin “This Is Paris”. Aty tregoi se nxënësve u jepeshin pilula qetësuese, i hidhnin në izolim si në burg dhe privatësia nuk respektohej as gjatë dushit - edhe atëherë stafi i shikonte. Ajo theksoi se ishin vazhdimisht të poshtëruar dhe të torturuar.

“Kam qenë fëmijë, e ata më fusnin në izolim, më rrihnin, më poshtëronin dhe më shikonin nudo”, dëshmoi ajo.

- YouTube www.youtube.com

Paris u rrit duke jetuar me familjen në hotelin Waldorf Astoria në New York. Por, në moshën 15-vjeçare, prindërit e dërguan në internatet “terapeutike” të kompanisë CEDU për shkak të sjelljes problematike - ikjeve nga shtëpia dhe daljeve në klube nate pa leje. Ajo ndoqi katër internate të ndryshme nën të njëjtën kompani, para se t’i braktiste përgjithmonë në moshën 18-vjeçare. Ajo rrëfeu se nuk u kishte treguar prindërve kurrë për abuzimin, sepse ishte e traumatizuar dhe besonte te kërcënimet e stafit, që i thoshte se nuk do të mund të ikte kurrë nëse tregonte.

Profimedia

As në shkollën e dytë gjërat nuk ndryshuan, abuzimi vazhdoi. Paris kujtoi momentin kur e zgjoshin natën duke e tërhequr zvarrë nga shtrati.

“Isha në gjumë të thellë në 4:30 të mëngjesit, kur dera e dhomës sime u hap me shpërthim. Një dorë e trashë më kapi për kyç dhe më tërhoqi zvarrë nga dysheku. U zgjova menjëherë, në gjendje paniku. Mendoja se do të më përdhunonin, do të më vrisnin. Njëri më vuri dorën e djersitur mbi gojë dhe më tërhoqi kokën prapa. Tjetri mbante një palë pranga”, shkruan në fragmentin e publikuar nga Times.

Profimedia

Paris ka treguar se iu lut prindërve ta kthenin në shtëpi pas vitit të dytë në internat, por ata insistuan që ajo të vijonte edhe të tretin. Ajo më pas u arratis, duke jetuar për ca kohë në New York me një shoqe, nën një identitet të rremë. Por, kur prindërit e gjetën, ajo u dërgua në një internat të katërt CEDU.

Në vitin 2020, Paris kryesoi një protestë duke kërkuar mbylljen e “Provo Canyon”, ndërsa dhjetëra ish-nxënës të tjerë ndanë dëshmitë e tyre për torturat e përjetuara. Administrata e shkollës deklaroi se para vitit 2000 institucioni ishte në pronësi tjetër dhe nuk mund të komentonte ngjarjet e asaj periudhe.

Profimedia

Në tetor të vitit 2021, Paris mori pjesë edhe në një ngjarje në Washington që synonte reformimin e ligjeve për kujdesin ndaj fëmijëve në institucione. /Telegrafi/