LAJMI I FUNDIT:

Parashikimi për rritje ekonomike mund të prishet pas liberalizimit të vizave

Parashikimi për rritje ekonomike mund të prishet pas liberalizimit të vizave

Banka Qendrore e Kosovës, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikojnë rritje ekonomike në Kosovë deri në 4 për qind vitin e ardhshëm.

Parashikimi është më pozitiv krahasuar me 3.5 për qind këtë vit dhe po aq vitin e kaluar.


Nga BQK-ja thonë se ai u atribuohet pritjeve për rritje të konsumit dhe investimeve, si dhe për stabilizim të çmimeve.

Ekspertë të ekonomisë dhe përfaqësues të bizneseve, në anën tjetër, paralajmërojnë se parashikimi mund të mos dalë i saktë, nëse ka ikje masive të qytetarëve pas liberalizimit të vizave me vendet evropiane, nga 1 janari i vitit 2024.

Pritje dhe rreziqe

Në një deklaratë me shkrim dhënë Radios Evropa e Lirë, Departamenti për marrëdhënie me jashtë i BQK-së thotë se dukuria e emigrimit ka ndikim potencial në tregun e punës dhe, rrjedhimisht, në gjithë aktivitetin ekonomik.

Sipas BQK-së, përkeqësimi i këtij trendi me lëvizjen e lirë të qytetarëve pas janarit të vitit 2024, “do të përkthehej në debalancë të tregut të punës dhe dobësim të performancës së bizneseve dhe dinamikave të përgjithshme makroekonomike në vend”.

Por, thonë në BQK, ritmin e aktivitetit ekonomik mund ta ndikojnë edhe faktorë të tjerë, si: pasiguritë e vazhdueshme gjeopolitike, kërkesa e jashtme më e dobët apo përkeqësimi i kushteve tregtare.

Bashkimi Evropian konfirmon se liberalizimi i vizave do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024
Lexo po ashtu Bashkimi Evropian konfirmon se liberalizimi i vizave do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024

Në raportin ekonomik për Ballkanin Perëndimor të Bankës Botërore, të publikuar më 19 tetor, thuhet se në Kosovë, ndonëse parashikimet për rritje ekonomike mbeten pozitive, rreziqet për ngadalësim janë domethënëse.

Ato ndërlidhen me pasiguritë e vazhdueshme nga lufta në Ukrainë dhe pasojat që mund t’ia shkaktojë ajo aktivitetit ekonomik në Evropë.

Në një deklaratë dhënë REL-it, nga Banka Botërore thonë se, gjatë vitit 2022, tregu i punës në Kosovë është karakterizuar me tkurrje të popullsisë në moshë pune, “me gjasë për shkak të migrimit të vazhdueshëm”.

Por, sipas tyre, Kosova ka potencial të madh të pashfrytëzuar të fuqisë punëtore, marrë parasysh shkallën e lartë të mospjesëmarrjes në tregun e punës, veçanërisht në mesin e grave.

“Migrimi mund të ushtrojë presion për paga më të larta, dhe, në të njëjtën kohë, kjo mund t’i nxjerrë më shumë qytetarë nga mospjesëmarrja në tregun e punës”, thonë nga Banka Botërore.

Lëvizja e lirë do të marrë punëtorë

Eksperti i çështjeve ekonomike, Ismet Mulaj, i cili në të kaluarën ka shërbyer edhe si ministër i Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, thotë se me liberalizimin e vizave, mijëra qytetarë mund ta lënë Kosovën.

Ata, thotë Mulaj, do të shkojnë për vizita në vende të ndryshme të BE-së, por disa edhe mund të lidhin kontrata pune e më pas të pajisen edhe me viza pune.

“Largimi eventual masiv i qytetarëve të Kosovës pas liberalizmit të vizave, përveçse do të ndikojë në aktivitetin ekonomik të bizneseve, do ta ulë edhe konsumin në Kosovë. Të gjitha këto, pastaj, reflektohen në rritjen ekonomike”, thotë Mulaj për Radion Evropa e Lirë.

Kosova, prej vitesh, përballet me mungesë punëtorësh të profileve të ndryshme.

Me 1.7 milion banorë, Kosova ka një shkallë të papunësisë prej gati 12 për qind. Paga mesatare bruto është 520 euro, ndërsa minimalja sillet nga 130 deri në 170 euro.

Të dhënat e Agjencisë së Punësimit të Kosovës flasin për rënie të numrit të punëkërkuesve ndër vite: nga rreth 300 mijë punëkërkues të regjistruar në vitin 2013, numri i tyre ka rënë në rreth 29 mijë në prill të këtij viti.

Drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Prishtinë, Skënder Krasniqi, thotë se në tre vjetët e fundit punëtorët nga Kosova, me procedura më të lehtësuara, janë pajisur me leje pune dhe kanë ikur në vendet e BE-së.

Gjermania është një prej atyre që i ka lehtësuar procedurat e pajisjes me dokumente të të huajve.

Vitin e kaluar, numri i vizave të punës të lëshuara nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë është rritur për 110 për qind, në krahasim me vitin paraprak.

Krasniqi thotë se këto shifra do të rriten edhe më pas liberalizimit të vizave, edhe pse kjo lëvizje e lirë nuk nënkupton udhëtime për qëllime pune.

“Qytetarët do të kenë mundësi të shkojnë për vizitë në vendet e BE-së, por edhe të gjejnë një vend pune dhe më pas të pajisen me vizë pune”, thotë ai.

Mungesa e punëtorëve ndikon, pastaj, në rënie të aktivitetit ekonomik, thotë Krasniqi.

Gjendja në shifra

Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk ka ende të dhëna për vitin 2022 dhe për këtë vit, por ato të vitit 2021 tregojnë se nga Kosova janë larguar mbi 42 mijë banorë, për arsye të ndryshme – në mesin e tyre edhe punësimi.

Për më tepër, Kosova prej vitesh vuan nga deficiti i lartë tregtar, pasi shumicën e produkteve e importon nga vendet fqinje ose ato të BE-së.

Në vitin 2022, sipas të dhënave të ASK-së, Kosova ka eksportuar produkte në vlerë prej afër 1 miliard eurosh, ndërsa ka importuar produkte në vlerë mbi 5 miliardë euro.

Norma mesatare e inflacionit në vitin 2022 ka qenë gati 12 për qind, edhe pse trendi tash është në rënie.

Sipas të dhënave të BQK-së, investimet e huaja në Kosovë, në vitin 2022, kanë kapur vlerën e mbi 750 milionë eurove – nga mbi 420 milionë euro sa kanë qenë në vitin 2021.

Po sipas BQK-së, investimet më të mëdha bëhen në sektorin e patundshmërisë dhe ato vijnë kryesisht nga diaspora e Kosovës.

Kosova, po ashtu, pranon një shumë të madhe remitencash: mbi 1.2 miliard euro vetëm vitin e kaluar.