LAJMI I FUNDIT:

Paralajmërohet padi për trilluesit e Shtëpisë së Verdhë

Paralajmërohet padi për trilluesit e Shtëpisë së Verdhë

Mersin Katuçi, pronar i të ashtuquajturës Shtëpia e Verdhë, ka autorizuar avokatin Tomë Gashi për t’iu bërë padi ish-prokurores Carla del Ponte, senatorit Dick Marty, mjekut ligjor Hose Pablo Baraybar, të cilët sipas avokatit Gashi kanë trilluar kinse në shtëpinë e verdhë ka pasur heqje të organeve njerëzore dhe këto janë përdorur për trafikim.

Ai është lodhur nga mediat e shumëta që kërkojnë të bëjnë intervistë me të. Mersin Katuçi, rri në distancë me të panjohurit që e vizitojnë. Gjithnjë kërkon prova, për të ditur se kush në fakt po e viziton shtëpinë e tij, të cilës së fundi i ka ndërruar pullazin.

Shtëpia e tij, u bë njollë e zezë, ndonëse nuk është vërtetuar asnjë veprim që pretendohej se është kryer brenda saj.


Objekti i ndërtuar në kohën e diktatorit Enver Hoxha, mori epitetin “shtëpia e verdhë”. Për kohën e ndërtimit, banorët lokalë thonë se mund të konsiderohej një objekt mjaft i madh, por ku jetuan më shumë se një familje.

Ekipi i emisionit “Udhëve” (RTK), ka vizituar fshatin Gurrë në zonën e Matit, ku gjindet Shtëpia e Verdhë. Pronari, Mersin Katuçi sapo jemi ofruar tek dera e shtëpisë, është konfuzuar dhe nuk ka pranuar të flasë me ekipin, derisa i është thënë se para se të bisedonim me të, ekipi kishte takuar avokatin e tij të aurotizuar në Prishtinë, Tomë Gashin.

Pas bisedës telefonike me Gashin, në prezencën e Katuçit, ky i fundit ka lejuar ekipin për disa minuta të bëjë xhirime në oborrin e shtëpisë së tij, një shtëpi kjo e vjetër, tipike e zonave malore të Shqipërisë.

Pas kësaj telefonate, i zoti i shtëpisë, Mersin Katuçi ka qenë mjaft i hapur në biseda jashtë kamerave me ekipin e emisionit Udhëve. Por, ai nuk ka pranuar të komunikojë para kamerave. Ajo që është konfirmuar tashmë, është se Katuçi e ka autorizuar avokatin Tomë Gashi, për të bërë padi civile dhe penale ndaj atyre që ngritën në skenarin për atë që thotë se nuk kishte ndodhur kurrë në shtëpinë e tij.

Avokati Tomë Gashi ka konfirmuar se është duke përgatitur tashmë padinë ndaj ish-prokurores Carla del Ponte, senatorit Dik Marty, mjekut ligjor Hose Pablo Baraybar, të cilët sipas Gashit kanë trilluar kinse në shtëpinë e z. Mersin Katuçi ka pasur heqje të organeve njerëzore dhe këto janë përdorur për trafikim.

“Kjo nuk ka ndodhur kurrë. Mbi familjen Katuçi të Matit të Shqipërisë ka pasur maltretime të shumëta dhe atë disa herë, duke pretenduar të bëjnë bastisje që të gjejnë gjurmë të organeve njerëzore kinse nga ushtarë të UÇK-së gjatë luftës”, ka thënë Gashi.

Ndonëse gjendet në thellësi të fshatit Gurrë të Burrelit, shtëpia e verdhë, u përmend në shumë raporte ndërkombëtare, duke bërë kështu target jo vetëm për shtetin shqiptar, ku ajo ndodhej, por edhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Ishte prilli i vitit 2008 kur Carla del Ponte, ish kryeprokurore e Tribunalit Ndërkombëtar në Hagë publikoi librin “Gjuetia: unë dhe kriminelët e luftës’. Aty, ajo flet për krimet e pretenduara të UÇK-së, të kryera gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Ajo që më së shumti ka tronditur opinionin publik botëror është pretendimi i ish kryeprokurores Carla del Ponte se Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte marrë peng mbi 300 serbë të Kosovës, i ka transportuar ata pastaj nëpërmjet Kukësit e Tropojës në zonën e Matit, pikërisht në Burrel të Shqipërisë, në shtëpinë e verdhë.

Aty pastaj thuhet se vriteshin dhe u merreshin organet të cilat pretendohej se u janë trafikuar.

Ishte Konstantin Kosachev, asokohe kryesues i deputetëve të Federatës Ruse në Këshill të Evropës, që menjëherë pas publikimit të kërij libri, propozoi ‘Mocion për trafikimin e organeve gjatë konfliktit në Kosovë dhe të trajtimit çnjerëzor’”.

Bazuar në këtë mocion të iniciuar nga Federata Ruse, do të votohet në Parlamentin Evropian një rezolutë që do t’i hapte rrugën përpilimit të raportit të Dick Martyt dhe më pas edhe themelimit të Task Forcës Speciale për hetimin e pretendimeve të dala nga raporti, e që udhëhiqej nga prokurori amerikan John Clint Williamson.

Në korrik të vitit 2014 ishte prokurori amerikan John Clint Williamson ai që pas hetimeve 3 vjeçare do të mbajë një konferencë shtypi, ku do të konfirmojë se nuk ishte gjetur asgjë nga pretendimet për trafikim organesh në shtëpinë e verdhë.

Pavarësisht se nuk ishin gjetur prova për transplantimin e organeve, Gjykata Speciale ka nisur punimet, duke vënë në shënjestër të arrestimeve ish udhëheqës të lartë të UÇK-së, që në kohën e arrestimeve ishin kupola udhëheqëse shtetërore në Kosovë. /rtk/