LAJMI I FUNDIT:

Panxha: Shumë prodhues kanë deklaruar rënie të hyrave për 60%

Panxha: Shumë prodhues kanë deklaruar rënie të hyrave për 60%

Kryetari i Klubit të Prodhuesve  të Kosovës, Astrit Panxha, ka thënë shumë prodhues kosovarë kanë deklaruar rënie të të hyrave për 60%, pas përhapjes së coronavirusit.

Panxha tha se nëse do të ketë ende masa shtrënguese për mbrojtjen e shëndetit publik dëmet në ekonomi do të jenë edhe më të mëdha.


“Ne kemi bërë një anketë në organizatat të tjera biznesore Odën gjermane, Këshillin e Investitorëve Evropian dhe Organizata të tjera të dhënat që kanë dal në fazën e parë që i kemi bërë pjesën e mbetur të muajit mars dhe prill tregojnë, që 60% e kompanive janë afektuar në masë të madhe nga masat e ndërmarra nga Qeveria”, tha ai për Ekonomia Online.

“Ka edhe prodhues që kanë raportuar që të hyrat kanë shënuar rënie deri në 60%. Pandemia është duke e prekur sektorin e prodhimit dhe nëse do të kemi ende masa shtrënguese për mbrojtjen e shëndetit publik dëmet në ekonomi do të jenë më të mëdha”, shtoi Panxha.

Ai tha se ende nuk është i informuar për humbjet në vlerën monetare, mirëpo ka zvogëlim të punësimit në sektorin e prodhimit sepse ka mungesë të pagave për punëtorë.

Mes tjerash, Panxha ka thënë se mbyllja e sektorit të gastronomisë është humbje e tregut për prodhuesit e lëngjeve dhe prodhuesit e produkteve ushqimore.

“Humbjet në vlerën monetare nuk mund të dimë sa kanë qenë, mirëpo ka zvogëlim të punësimit në sektorin e prodhimit sepse nuk ka mjete për t’i paguar pagat e tyre. Shumica e kompanive janë mikro të vogla dhe janë shumë të ndjeshme ndaj çdo shoku që vjen nga jashtë. Në këtë rast pandemia i ka prekur këto kompani”.

“Mbyllja e sektorit të gastronomisë është humbje e tregut për prodhuesit e lëngjeve dhe prodhuesit e produkteve ushqimore. Nuk e dimë saktësisht numrin e humbjeve të vendit të punës, por do të fillojmë me anketa të tjera të shohim se sa janë humbjet”, shtoi ai.