LAJMI I FUNDIT:

Panxha: Me borxhin e kompanive të ujit u manipulua (Video)

Panxha: Me borxhin e kompanive të ujit u manipulua (Video)

Falja e borxhit nga ana e Qeverisë së Kosovës për kompanitë që merren me ambalazhimin dhe shitjen e ujit në vend, kishte ngjallur reagime të shumta për shumën e falur, e cila kalonte 50 milionë euro.

Aktualisht në Kosovë janë 34 kompani që merren me këtë lloj të biznesit.


Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, në një intervistë për Telegrafin, me gazetarin Lulzim Ahmeti, ka thënë se borxhi i falur për kompanitë që prodhojnë ujë nuk është 50 milionë ose 60 milionë euro.

Sipas tij, kjo shumë përveç që nuk qëndron, edhe është nxjerrë nga konteksti dhe po manipulohet qëllimisht nga disa qarqe. “Ky supozim do të ishte i saktë nëse fabrikat gjatë 10 viteve të fundit do të punonin 24 orë në ditë dhe shtatë ditës të javës”, tha Panxha.

Ai ka sqaruar se qarkullimi vjetor i kompanive të ambalazhimit të ujit gjatë një viti të cilat janë prezente në tregun kosovar është gjithsejtë 11 milionë euro, duke shtuar se 60 për qind e prej tyre janë të kompanive vendore, derisa pjesa tjetër i takon kompanive të huaja.

Sipas tij, diku tregu i shitjes së kompanive vendore të ujit arrin në 6 milionë euro në vit. “Sa i përket shumës së borxhit që e kanë këto kompani në bazë të këtyre përllogaritjeve rezulton se ky borxh shkon diku në 250 mijë euro”, ka shtuar Panxha.

Ai ka thënë se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), si dikaster mbi të cilën bie përgjegjësia e shfrytëzimit të ujërave nëntokësore, e ka neglizhuar çështjen e taksave për shfrytëzimin e ujit.

“Për borxhin e kompanive të ujit nuk janë lëshuar faturat. Për këtë Ministria e Mjedisit duhet t’i gjejë fajtorët, e jo t’i padisë prodhuesit vendor. Padia ndaj prodhuesve vendor është një indikacion se shteti dëshiron t’i mbyllë këto biznese. /Telegrafi/