LAJMI I FUNDIT:

Pandemitë e mbysin edhe dhembshurinë

Pandemitë e mbysin edhe dhembshurinë
Ilustrim

Disa fatkeqësi, si uraganet dhe tërmetet, mund t’i bashkojnë njerëzit, mirëpo nëse historia është njëfarë gjykatëseje, atëherë pandemitë në përgjithësi na ndajnë. Këto janë kriza në të cilat distancimi shoqëror është virtyt. Droja pushton lidhjet normale të afeksionit njerëzor.

Giovanni Boccaccio shkruan te “Dekameroni” për atë që kishte ndodhur gjatë murtajës që preku Firencen më 1348: “Ishte e mërzitshme të rrëfesh sesi qytetari shmangte qytetarin, sesa të rrallë mes fqinjësh ishin ata që shfaqnin ndjesinë e përbashkësisë, sesa të ftohtë ishin njerëzit e gjakut që nuk u takuan kurrë… Dhe, për më shumë, që rrallë besohet, gjendej që baballarë dhe nëna i braktisnin fëmijët e tyre duke i lënë në fatin e vet, të pavizituar dhe pa kujdes”.


Daniel Defoe, në librin e tij për epideminë e 1665-ës në Londër, “Ditari i Vitit të Murtajës”, raporton që “kjo kishte qenë një periudhë ku siguria private e secilit shtrihej aq afër sa që ata nuk kishin hapësirë për t’i mëshiruar shqetësimet e të tjerëve… Rreziku i vdekjeve tona të menjëhershme na mori të gjitha lidhjet e dashurisë dhe gjithë brengosjen për njëri-tjetrin”.

Frika i shpie njerëzit drejt këtyre çasteve, por ashtu bën edhe turpi – i shkaktuar nga gjërat brutale që duhet bërë për ta ngadalësuar përhapjen e sëmundjes. Në të gjitha pandemitë njerëzit detyrohen të marrin vendime që mjekët në Itali tani po detyrohen t’i marrin – t’ua mohojnë kujdesin disa prej atyre që po vuajnë, duke i lënë kështu në fatin e tyre.

Në Venedikun e shekullit të shtatëmbëdhjetë, punëtorët shëndetësorë kërkuan nëpër qytet, i identifikuan viktimat dhe i larguan në “spitale të izoluara”, ku dy e treta e tyre vdiqën. Përgjatë shekujve, në shumë qytete autoritetet komunale mbyllnin familje të tëra në shtëpitë e tyre, i mbyllnin hapësirat dhe e bllokonin çfarëdo dërgese provizionesh apo kujdesi mjekësor.

Historiani nga Frank Snowden, i cili shkroi librin “Epidemitë dhe Shoqëria”, argumenton që pandemitë e vendosin një pasqyrë para shoqërisë dhe na detyrojnë që t’i shtrojmë pyetjet më themelore: Çfarë po provon të na tregojë mundësia e vdekjes së afërt? Ku gjendet Zoti në tërë këtë situatë? Cila është përgjegjësia jonë ndaj njëri-tjetrit?

Pandemitë nxisin ndjenjën e një fatalizmi ligështues. Njerëzit e kuptojnë se sa pak i kanë në kontroll jetët e tyre. Anton Çehovi ishte viktimë gjatë epidemisë së tuberkulozit që kishe kaluar nëpër Rusi në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Snowden vë në spikamë që dramat të cilat ai i shkroi gjatë shërimit të tij kanë të bëjnë me njerëz që ndjehen të ngujuar, duke pritur për ndodhi jashtë kontrollit të tyre, në pamundësi për të vepruar dhe në pamundësi për të vendosur.

Kolera goditi Napolin më 1884, posaçërisht Qytetin e Poshtëm, ku jetonin të varfrit. Këtë pjesë e kapluan spekulimet se zyrtarët e qytetit po e përhapnin sëmundjen. Kur punëtorët e pakonsideratë të shëndetit publik erdhën në Qytetin e Poshtëm, banorët lokalë u revoltuan duke i gjuajtur me orendi dhe duke i shtyrë poshtë shkallëve.

Qyteti mendonte që sëmundja ngjitej nga njerëzit të cilët hanin pemë të papjekura, apo të stërpjekura. Fshatarët u përgjigjën duke sjellë me vete shporta me pemë në ndërtesën e bashkisë, dhe duke i ngrënë me grykësi – një mënyrë për t’ua treguar gishtin e mesëm elitave që ishin aq të padobishme përballë sëmundjes.

Pandemia e gripit spanjoll që dërrmoi Amerikën më 1918 prodhoi reagime të ngjashme. Autori i librit “Gripi i Madh”, John M. Barry, raporton që teksa kushtet po përkeqësoheshin, punëtorët e shëndetit u kërkonin vullnetarëve, qytet më qytet, që të kujdeseshin për të sëmurët. Por, pak të tillë ndërmorën një hap para për ta bërë këtë.

Në Filadelfia, kreu i ndihmës emergjente kërkoi ndihmë për kujdesin ndaj fëmijëve të sëmurë. Askush s’u përgjigj. Drejtori i organizatës reagoi plot përçmim: “Qindra gra kishin ëndrra të bukura për veten në rolin e engjëjve të mëshirës… Asgjë nuk po duket se po i zgjon tash… Ka familje ku secili anëtar është i sëmurë, në të cilat fëmijët po vdesin urie sepse s’ka kush t’iu ofrojë ushqim. Shkalla e vdekjeve është aq e lartë dhe ata prapë po hezitojnë”.

Kjo e shpjegon njërin prej tipareve më hutuese të pandemisë së 1918-ës. Kur mori fund, njerëzit nuk flisnin më. Kishte pak libra apo drama që ishin shkruar për të. Afërsisht 675 mijë amerikanë vdiqën nga gripi, krahasuar me 53 mijë që vdiqën në Luftën e Parë Botërore. Dhe prapë pa gati asnjë shenjë të vetëdijesimit kulturor.

Ndoshta sepse njerëzve nuk iu pëlqeu ajo se në çfarë ishin shndërruar. Ishte një kujtim i turpshëm, prandaj edhe i shtypur. Në disertacionin e saj më 1976, “Një Erë Mizore”, Dorothy Ann Pettit, argumenton që pandemia e gripit të 1918-ës kontribuoi më pas në një plogështi shpirtërore. Njerëzit dolën nga aty të lodhur fizikisht dhe shpirtërisht. Gripi, shkruan Pettit, kishte një efekt këndellës dhe deziluzionues për frymën kombëtare.

Ka një përjashtim në këtë litani pikëlluese: punëtorët e kujdesit shëndetësor. Në secilën pandemi, ka doktorë dhe infermiere që përgjigjen me heroizëm dhe mëshirë të pabesueshme. Kjo po ndodh sot.

Mike Baker së fundi pati një raport në The New York Times për spitalin EvergreenHealth në Kirkland të Uashingtonit, ku stafi shfaqi atë lloj dhembshurie efikase që ka qenë e pranishme në të gjitha pandemitë përgjatë shekujve. “Nuk kemi pasur probleme me staf që nuk dëshiron të përfshihet”, ka thënë një përgjegjës. “Kemi pasur të tillë që kanë thirrur dhe kanë thënë: ‘Nëse ju nevojitem, jam në dispozicion’”.

Ndoshta kësaj radhe do të mësojmë nga shembulli i tyre. Nuk do të ishte ide e keqe nëse marrim hapa që ta luftojmë edhe sëmundjen morale e cila e shoqëron atë fizike. /Burimi: New York Times/ Përkthyer nga: Klan Kosova/

Në trend

Më shumë
Granit Xhaka 'mbulohet' me para nga Leverkuseni me fitimin e titullit në Bundesligë

Granit Xhaka 'mbulohet' me para nga Leverkuseni me fitimin e titullit në Bundesligë

Bundesliga
Sa kanë pasuri Osmani dhe Kurti? Dyshja deklaron pasurinë e tyre në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit

Sa kanë pasuri Osmani dhe Kurti? Dyshja deklaron pasurinë e tyre në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit

Lajme
O'Brien pas takimit me Vuçiqin: Shpresoj që komuniteti ndërkombëtar do të bëjë gjithçka që Kosova të themelojë Asociacionin

O'Brien pas takimit me Vuçiqin: Shpresoj që komuniteti ndërkombëtar do të bëjë gjithçka që Kosova të themelojë Asociacionin

Politikë
A e dini se për çfarë shërben gjysmërrethi në buzë të zonës së penalltisë? Këtu është rasti i vetëm në të cilin përdoret

A e dini se për çfarë shërben gjysmërrethi në buzë të zonës së penalltisë? Këtu është rasti i vetëm në të cilin përdoret

Ndërkombëtare
Si e “tradhtoi” Rudiger shokun e tij më të mirë në futboll gjatë ekzekutimit të penalltive në Man City-Real

Si e “tradhtoi” Rudiger shokun e tij më të mirë në futboll gjatë ekzekutimit të penalltive në Man City-Real

Liga e Kampionëve
Çifti i famshëm i futbollit që luajnë për të njëjtin ekip, kanë një rregull në shtëpi që duhet ta respektojnë të dy

Çifti i famshëm i futbollit që luajnë për të njëjtin ekip, kanë një rregull në shtëpi që duhet ta respektojnë të dy

Magazina
Kalo në kategori