LAJMI I FUNDIT:

Pandemia globale dhe “Skënderbeun anemik” në Prizren

Pandemia globale dhe “Skënderbeun anemik” në Prizren

Piktori Agim Sulaj ka hapur në Tiranë ekspozitën “Heronjtë”. Artisti, i cili prej tre dekadash jeton edhe punon në Itali, u frymëzua për tablonë që mban titullin e kësaj ekspozite nga një fotografi e mjekut Joseph Varon, i cili përqafon një pacient të prekur nga Covidi-19.

“Këtë vit nuk mund që të rrija pa u dedikuar një tablo në vaj mjekëve, që kanë humbur jetën nga ky virus, që është bërë për të gjithë botën një armik i padukshëm. Tabloja ka në qendër një mjek që përqafon një pacient me Covidin-19. Një foto kjo e publikuar në ‘Washington Post fillimisht”, tregon Sulaj.


Përpos kësaj artisti trajton rrënjët dhe rrugicat e fëmijërisë, sjell një tablo për Ali Pashe Tepelenën, por nuk mungon as portreti i heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut… Për këtë të fundit, Sulaj rrëfen edhe se artistët duhet që të jenë të kujdesshëm kur realizojnë vepra për heronjtë, “që mos të ndodh sikundër më statujën anemike të artistit nga Prizreni”.

“Ekspozita përfshin një gamë të madhe të krijimtarisë, ka pejzash të Tiranës dhe të vendeve në Itali ku jetoj prej tre dekadash. Tablos historike që i dedikohet kokës së prerë të Ali Pashë Tepelenës, i rikthehem sërisht pasi versioni i parë është në Muzeun e Ali Pashës në Janinë. Ndërsa, një tablo është për heroin kombëtar, Skënderbeun. Mendoj se Skënderbeu është një figurë kombëtare edhe çdo komb do ta kishte dëshirë që të kishte një hero si ai. Skulptura e Skënderbeut të Paskalit apo edhe i artistëve të tjerë, janë vepra që tregojnë shumë për të. Popujt i kanë në mendje heronjtë,  por në rastet që kemi parë disa skulptura butaforike, më vjen keq, sepse populli nuk kanë gjetur asgjë nga Skënderbeu me të cilin është mësuar. Mendoj se artistët kur bëjnë vepra madhore duhet që të jenë të specializuar, të ketë juri për ta, ndryshe një skulpturë del anemike dhe pa anatominë e një heroi, siç ne e kemi”, mendon Sulaj.

Ekspozita do të vazhdojë që të qëndrojë çelur deri në shkurt të vitit 2021. /Shqiptarja/