LAJMI I FUNDIT:

‘Pandemia ekonomike’: Ku qëndron Kosova në raport me vendet e rajonit?

‘Pandemia ekonomike’: Ku qëndron Kosova në raport me vendet e rajonit?
Ilustrim

Kriza e pandemisë COVID-19 ka tronditur mbarë ekonominë botërore. Përderisa në fillim qeveritë ishin të përqendruara në vendosjen e masave kufizuese, me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit, sot ato po merren me pasojat sociale dhe ekonomike të saj.

Ballkani Perëndimor, ngjashëm më pjesën tjetër të botës, pritet të futet në recesion, përmasat e së cilës do të varen kryekëput nga kohëzgjatja e pandemisë. Banka Botërore flet për tkurrje të ekonomisë rajonale në masën prej 3.1 për qind. Mali i Zi dhe Shqipëria pritet të kenë rënien më të madhe ekonomike në rajon me 5.6 për qind, respektivisht 5.0 për qind për shkak të rolit të madh të turizmit në ekonomitë e tyre. Në ndërkohë, ekonomia në Kosovë do të pësojë rënie prej 4.5 për qind, në Bosnjë dhe Hercegovinë 3.2 për qind, në Serbi 2.5 për qind, kurse Maqedonia e Veriut pritet të kalojë “më së lehti” krizën me 1.4 për qind të rënies ekonomike.


Në Kosovë, çdo i treti punëtor në sektorët më të prekur nga kriza,, rrezikojnë të humbin vendet e tyre të punës. Sipas Bankës Botërore, kjo do të rrisë tutje varfërinë në vend për 10 për qind. Derisa konsumi mund të rikuperohet më shpejtë, eksporti dhe investimet do të marrin kohë më të gjatë për rimëkëmbje. Ne ende nuk kemi një pasqyrë të plotë të krizës ekonomike, për shkak se pandemia po vazhdon, por ajo që dihet është se dëmet ditore në Kosovë vlerësohen rreth 6 milionë euro.

Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë marrë masa emergjente për të mbështetur qytetarët dhe bizneset gjatë pandemisë. Ekonomistët i kategorizojnë masat lehtësuese emergjente në tre grupe të mëdha:

1) masa fiskale dhe tregtare;
2) masa monetare dhe financiare;
3) masa për mbrojtje sociale.

Të gjitha qeveritë e rajonit kanë miratuar masat të kombinuara duke subvencionuar pagat e punëtorëve për bizneset, duke ulur ose shtyrë pagesat e taksave dhe kredive dhe duke siguruar qasje në kredi të subvencionuara për bizneset. Shumica e vendeve gjithashtu kanë rritur përkohësisht skemat sociale për familjet në nevojë dhe pensionistët.

Pakoja emergjente fiskale në Kosovë përmban një duzinë masash me vlerë prej afro 200 milionë eurosh. Këto mjete janë ndarë për të subvencionuar sektorin privat, për të përkrahur punëtorët e sektorit publik në vijën e parë të frontit, për të ndihmuar përfituesit e skemave sociale, për të siguruar likuiditetin financiar të ndërmarrjeve publike e private, për të mbështetur komunat e prekura me pandemi, për të ndihmuar komunitetet pakicë, si dhe prodhuesit bujqësorë.

Serbia prin në rajon me pako emergjente prej 3.2 miliardë euro apo 6.7 për qind të bruto prodhimit vendor (BPV). Vendi që do të shpenzojë më së paku në rajon është Mali i Zi me rreth 75 milionë euro (1.0 për qind e BPV). Shqipëria dhe Bosnja do të shpenzojnë nga rreth 400 milionë euro që paraqet 2.4 për qind, përkatësisht 2.3 për qind të BPV-ve të tyre. Pakot emergjente në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut janë nga 200 milionë euro. Me pako sa 2.8 për qind e BPV-së, Kosova radhitet e dyta në rajon.

Një indikator tjetër krahasues i masave është edhe niveli i subvencionimit të pagës mujore të punëtorëve. Kosova dhe Shqipëria kanë paguar 100 për qind të pagës minimale për dy muaj. Bosnja ka paguar 100 për qind të pagës minimale vetëm për një muaj, ndërsa Maqedonia për tre muaj. Mali i Zi, ka paguar 70 për qind të pagës minimale për dy muaj, ndërsa Serbia 50 për qind të pagës minimale për tre muaj, si dhe 100 euro pagesë të menjëhershme për çdo qytetar të moshës madhore. E veçanta e pakos në Kosovë ka qenë pagesa prej 130 eurove në muaj pas regjistrimit të punëtorëve që nuk kanë figuruar askund si të punësuar, si dhe pagesa shtesë prej 100 euro mbi pagë për punonjësit e sektorëve të furnizimeve si punëtorët e dyqaneve ushqimore, furrat e bukëve, si dhe farmacitë.

Pakoja emergjente po e përmbushë rolin e saj, por tanimë ndodhemi në fazën tjetër, atë të rimëkëmbjes ekonomike. Si rrjedhojë, pakoja e re duhet të përmbajë një plan veprimi për realizimin e strategjisë afatgjate ekonomike për zhvillimin dhe transformimin e ekonomisë së vendit përtej sanimit të pasojave të krizës.

Kosova sot është vendi i tretë më i goditur nga kriza në rajon. Përveç pandemisë, shoqërinë kosovare e ka pllakosur edhe kriza e thellë politike e cila po rëndohet tutje nga pesha e problemeve të grumbulluara gjatë dy dekadave në liri dhe nga paqartësitë rreth epilogut të mundshëm të procesit të shtetformimit. Lënia pas dore e ekonomisë do të rezultojë në rikthimin e skenave të migrimit masiv të të rinjve të pashpresë nga stacionet e autobusëve. Politikanëve, bizneseve, shoqërisë civile dhe gjithë qytetarëve të Kosovës nuk guxon t’iu ikë treni i fundit për shpëtimin e vendit.

(Ky editorial është pjesë e projektit të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), “Promovimi i transparencës dhe llogaridhënies publike në kohën e pandemisë Covid-19”, i financuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS). Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim nuk i pasqyrojnë medoemos ato të KFOS-it)

Në trend

Më shumë
Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

La Liga
U hodh në gjyq, Olsi Bylyku

U hodh në gjyq, Olsi Bylyku "godet" Top Channel: Ikonat si Arbana, Alban Dudushi iu larguan - gjersa kolegët në TV Klan kanë ndërtuar perandori

Magazina
Një takim mes Massimilianos dhe Heidit në Big Brother VIP Albania 3? Veprimi i ish-partnerit të saj në Grande Fratello ngre dyshimet

Një takim mes Massimilianos dhe Heidit në Big Brother VIP Albania 3? Veprimi i ish-partnerit të saj në Grande Fratello ngre dyshimet

Magazina
Zbulohen detaje dhe pamje të vjedhjes nga grupi kriminal serb “Pink Panther” në një argjendari në Greqi – bie në sy një detaj

Zbulohen detaje dhe pamje të vjedhjes nga grupi kriminal serb “Pink Panther” në një argjendari në Greqi – bie në sy një detaj

Botë
Dua Lipa duket e lumtur në krahët e të dashurit të saj, ndërsa fotografohen bashkë në një darkë në New York City

Dua Lipa duket e lumtur në krahët e të dashurit të saj, ndërsa fotografohen bashkë në një darkë në New York City

Magazina
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Kalo në kategori