LAJMI I FUNDIT:

I pandehuri në Procedurën Penale

I pandehuri në Procedurën Penale

Nëse jeni i dyshuar ose i akuzuar për një vepër penale, ju keni të drejta të garantuara ligjërisht që duhet patjetër të respektohen

Shkruan: Ardita Morina
Avokate


Është e rëndësishme të dini se cilat janë të drejtat tuaja, pra është e mirë të jeni plotësisht të vetëdijshëm edhe për atë që po ndodh gjatë fazave të ndryshme të procedimit penal.

Informacioni përfshin fushat kryesore, siç janë trupi kompetent që kryen hetimin, mënyra e marrjes së këshillave juridike, roli dhe të drejtat e subjekteve dhe zyrtarëve të ndryshëm, dhe informacioni mbi afatet që mund të zbatohen gjatë procedurave dhe ndihmën në dispozicion për ju.

Informacionet e dhëna nuk janë një zëvendësim për këshillat juridike, ato janë vetëm udhëzime. Nëse keni nevojë për ndihmë, gjithmonë këshillohuni me një avokat ose profesionist tjetër për të përcaktuar se çfarë zbatohet për çështjen tuaj.

Të drejtat e të pandehurit në procedurën penale janë të garantuara me Kushtetutë dhe me Kodin e Procedurës Penale si dhe me Konventa Ndërkombëtare ku organet të cilat zbatojnë procedurën penale janë të obliguara që t’i respektojnë në tërësi.

Në Kodin e Procedurës Penale janë të përcaktuara shprehjet:

I pandehur – personi kundër të cilit zbatohet procedura penale;
I akuzuar – personi kundër të cilit është paraqitur aktakuza dhe është caktuar shqyrtimi gjyqësor;
I dyshuar – personi për të cilën policia dhe Prokurori i Shtetit dyshojnë se ka kryer vepër penale, ndaj të cilit nuk është filluar hetimi.

Personi i dënuar është personi i cili me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës është shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale.

Sipas Kodit të Procedurës Penale të Kosovës caktohen rregullat që garantojnë se asnjë person i pafajshëm nuk do të dënohet, ndërsa dënimi ose sanksioni tjetër penal mund t’i shqiptohet vetëm personit i cili ka kryer vepër penale.

Çdo person i dyshuar ose që akuzohet për vepër penale konsiderohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Askush nuk mund të ndiqet dhe të dënohet për vepër penale nëse është liruar ose për të cilën është dënuar me vendim të formës së prerë me përjashtim të rasteve kur është paraparë ndryshe, nëse vendimi mund të ndryshohet me mjete të jashtëzakonshme juridike vetëm në favor të personit të dënuar.

I pandehuri dhe prokurori i shtetit në procedurë penale kanë pozitë të barabartë.

I pandehuri ka të drejtë të deklarohet dhe duhet të deklarohet për të gjitha faktet dhe provat që e ngarkojnë dh t’i paraqes të gjitha faktet dhe provat që janë në favor të tij. Ai ka të drejtë t’i marrë në pyetje dëshmitarët kundër tij dhe të kërkojë pranin dhe marrjen e dëshmitarëve në favor të tij në kushte të njëjta që vlejnë për dëshmitarët kundër tij.

Gjatë arrestimit të tij dhe marrjes në pyetje, i pandehuri menjëherë njoftohet në hollësi për llojin dhe shkaqet e akuzës kundër tij në gjuhën që ai e kupton.

I pandehuri ka të drejtën për të heshtur që konsiston në mosdhënien e deklaratës për të mos dhënë përgjigje në pyetje; për të mos e fajësuar veten ose pranuar fajësinë.

I pandehuri nuk ka detyrim të paraqet mbrojtjen e vet ose të përgjigjet në ndonjë pyetje dhe nëse mbrohet dhe nuk është i detyruar të akuzoj vetveten ose të afërmit e tij e as të pranoj fajësinë. Nga i pandehuri ose personi tjetër që merr pjesë në procedurë ndalohet dhe dënohet që të imponohet pranimi i fajësisë ose ndonjë deklarim tjetër me anë të torturës, forcës, kanosjes apo nëndikimin e drogës ose masave tjera të ngjashme.

I pandehuri ka të drejtë në kohë të mjaftueshme për përgatitjen e mbrojtjes së tij, ka të drejtë të mbrohet personalisht ose me ndihmën e mbrojtësit i cili është anëtarë i Odës së Avokatëve të Kosovës.

I pandehuri dhe mbrojtësi në çdo kohë kanë të drejtë qasjeje në shkresat e lëndës, para hetimit formal, pas fillimit të hetimit nga prokurori, pas përfundimit të hetimit dhe pas ngritjes së aktakuzës.

Pas ngritjes së aktakuzës i pandehuri ka të drejtën që t’i dorëzohet kopja e aktakuzës; gjyqtari siguron të pandehurin të ketë mbrojtës dhe të kuptojë akuzat ndaj tij të përfshira në aktakuzë dhe t’i mundësojë atij që të deklarohet fajtor apo i pafajshëm. Të njoftohet nga gjyqtari për të drejtën e tij që të parashtroj kërkesë për hedhjen e aktakuzës apo për të kundërshtuar provat para shqyrtimit të dytë gjyqësor. Të njoftohet në të drejtën për të propozuar dëshmitarë dhe prova për të cilat shkojnë në favor të tij. I pandehuri ka të drejtë për t’u njoftuar me kohë për shqyrtimin gjyqësor, prania e tij në procedurë sigurohet përmes thirrjes, afati është 8 ditë para shqyrtimit gjyqësor. Thirrja i dorëzohet personalisht dhe njoftohet për të drejtën në mbrojtje si dhe për pasojat e mosardhjes së tij pasi që gjykata ka të drejtë që të pandehurin të sjell edhe forcërisht.

Mjetet e rregullta juridike që mund t’i ushtroj i pandehuri është ankesa kundër Aktgjykimit dhe ankesa kundër Aktvendimit, ndërsa mjete të jashtëzakonshme juridike i pandehuri ka të drejtë të ushtrojë: kërkesën për rishikim të procedurës penale, zbutjen e jashtëzakonshme e dënimit dhe kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë.

Çdo person që është i dënuar, arrestuar, ndaluar ose paraburgosur në mënyrë të paligjshme ka të drejtë në rehabilitim të plotë dhe kompensim të drejtë nga mjetet buxhetore. /Telegrafi/