Pamje dramatike kanë dokumentuar momentet e tmerrit brenda një trageti që u përmbys në brigjet e Qipros veriore, ndërsa pasagjerët përpiqeshin dëshpërimisht të gjenin një rrugëdalje nga anija që po fundosej.

Të paktën tetë persona kanë humbur jetën dhe 18 të tjerë rezultojnë të zhdukur, ndërsa operacioni masiv i kërkim-shpëtimit vazhdon në ujërat e thella pranë qytetit portual të Kyrenias.


Pamjet e filmuara nga brenda tragetit tregojnë kaosin në momentet e fundit. Pasagjerët lëvizin me vështirësi nëpër korridoret e anijes së anuar rëndë, ndërsa dëgjohen britma dhe thirrje të dëshpëruara për ndihmë.

Në një moment, një burrë shihet i ulur në anën e tragetit të anuar, me telefonin në vesh, ndërsa rreth tij njerëzit përpiqen të largohen nga anija, transmeton Telegrafi.

Pamje të tjera tregojnë pasojat jashtë tragetit, ku të mbijetuarit qëndrojnë në ujërat e trazuara pranë trupit pjesërisht të zhytur të anijes. Disa përpiqen të mbajnë njëri-tjetrin, ndërsa të tjerë përpiqen të nxjerrin njerëz nga brendësia e tragetit. Një helikopter shpëtimi shihet duke fluturuar mbi zonën e katastrofës.

Mes dëshmive më prekëse është ajo e Ayten Bicer, e cila tregoi se si humbi nga duart vajzën e saj 12-vjeçare, Miray, në momentin kur trageti u përmbys.

“Ajo po thoshte: ‘Mos më lësho’. Dhe unë nuk e lashë. Betohem, nuk e lashë vajzën time”, tregoi nëna mes lotësh.

Por një valixhe ra mbi të dhe e detyroi vajzën të shkëputej nga duart e saj. Nëna arriti t’i kapte këmbën, por këpucët e vajzës, të mbuluara me vaj motori nga trageti i përmbysur, i rrëshqitën nga duart.

Miray dhe vëllai i saj gjashtëvjeçar, Mehmet Asaf, janë mes personave që vazhdojnë të jenë të zhdukur.

Trageti me dy trupa, me 267 persona në bord – 259 pasagjerë dhe tetë anëtarë ekuipazhi, mori ujë dhe u përmbys pak pasi u largua nga Kyrenia drejt portit turk të Taşucusë.

Sipas dëshmive të pasagjerëve, problemet nisën menjëherë pas nisjes. Ata vunë re se anija po merrte ujë dhe paralajmëruan kapitenin dhe ekuipazhin se duhej të ktheheshin në port.

Megjithatë, sipas dëshmive, trageti vazhdoi rrugëtimin drejt Turqisë, pavarësisht kushteve të këqija të motit dhe detit të trazuar.

Pasagjerët më pas kërkuan jelekë shpëtimi, por disa prej tyre pretenduan se nuk kishte mjaftueshëm jelekë për të gjithë.

Situata u përkeqësua kur një goditje e fortë dhe një shpërthim u dëgjuan pranë pjesës së përparme të anijes. Trageti nisi të anohej me shpejtësi dhe pasagjerët u detyruan të hidheshin në det për të shpëtuar, shumë prej tyre pa mjete lundruese.

Sipas dëshmive të disa të mbijetuarve, kapiteni ishte ndër personat e parë që braktisi anijen.

Kapiteni, shtatë anëtarë të ekuipazhit dhe një aksioner i kompanisë që operonte tragetin janë arrestuar dhe janë paraqitur në gjykatë. Autoritetet po hetojnë rrethanat e sakta që çuan në katastrofë.

Anija tashmë është fundosur dhe ndodhet në fund të detit, në një thellësi prej më shumë se 500 metrash, duke e bërë operacionin e kërkimit jashtëzakonisht të vështirë.

Zhytës nga Turqia janë angazhuar në operacion, ndërsa autoritetet po përpiqen gjithashtu të gjejnë dhe të nxjerrin regjistruesin e të dhënave të anijes, i cili mund të ndihmojë në përcaktimin e asaj që ndodhi në minutat para fundosjes.

Ndërkohë, familjarët vazhdojnë të presin lajme në port, ndërsa disa prej tyre kaluan orë të tëra duke kërkuar informacion për të afërmit e zhdukur.

Një udhëtim i zakonshëm drejt Turqisë u shndërrua brenda pak minutash në një betejë për mbijetesë, me pasagjerë të bllokuar brenda një trageti që po përmbytej dhe të tjerë të detyruar të hidheshin në det për të shpëtuar jetën. /Telegrafi/