Pamela Anderson dhe Liam Neeson ndezin thashethemet për një romancë të re – ndajnë balsam buzësh në emisionin “WWHL”

Pamela Anderson dhe aktori legjendar Liam Neeson po përfliten gjithnjë e më shumë si një çift në formim, pas paraqitjes së tyre të përbashkët në episodin e së dielës së “Watch What Happens Live with Andy Cohen”, i cili ishte regjistruar më herët gjatë javës në New York.
Dy yjet u shfaqën me një kimi të dukshme në studio, ku ndanë madje edhe të njëjtin balsam buzësh nga kompania kozmetike e Pamela-s, “Sonsi Skin”.
Moderatori, Andy Cohen, shmangu pyetjen direkte për lidhjen e tyre, por la të kuptohet qartë për një afrim emocional mes tyre, shkruan DailyMail.
“Çfarë po ndodh mes jush, nuk do t’ju pyes sonte… por të gjithë miqtë e Liamit janë shumë entuziastë”, tha ai me një buzëqeshje.
Edhe djali i Neeson, Daniel Jack Neeson, i cili ishte i pranishëm në audiencë, dha miratimin e tij duke pohuar me një “Po” të qeshur kur Cohen e pyeti nëse ishte “në rregull” me këtë lidhje të mundshme.
Pamela dhe Liam e mbajtën atmosferën të ngrohtë e lozonjare përgjatë gjithë intervistës, madje folën edhe për jetën e tyre romantike.
Kur u pyetën se sa herë kanë qenë të dashuruar në jetën e tyre, Liam tha “dy herë”, ndërsa Pamela u përgjigj me humor: “Një herë e gjysmë”.
Anderson dhe Neeson, të cilët tani po promovojnë filmin e tyre të ri “The Naked Gun”, kanë pozuar së fundmi edhe në premierën në New York së bashku me djemtë e tyre, një paraqitje që vetëm sa shtoi spekulimet rreth një romance të re.
Sipas burimeve për revistën People, marrëdhënia e tyre është “në fazat e hershme, por duket e sinqertë dhe me shumë ndjenjë”. /Telegrafi/
































































