LAJMI I FUNDIT:

Pa paragjykime për statusin!

Dikur, në fillim të fillimit, në mes të asgjësë, Krijuesi tha “Bëhu”… dhe u bë. Në fillim ishte vetëm fjala, pastaj u bë edhe drita. Nata e dita ndërroheshin… kështu filloi të sillet rrota e madhe e historisë.
Kështu u bë toka edhe qielli! Edhe zogjtë! Edhe pemët. Mollët, për shembull!
Kështu duket të ketë qenë. Mëkati dhe tregimi për të, vijnë pastaj. Shumëkush nuk e beson këtë, por askush nuk ka ndonjë ide më të besueshme. Pastaj dikush e hëngri mollën e ndaluar. Kështu fillon civilizimi ynë! Historia e njerëzimit…!

E, në Kosovë, atëherë nuk kishte mollë. Kishte veç dardha edhe dardhanë. Prandaj i thanë Dardhani. Në Dardhani, Zoti së pari e krijoi Dell-in. Pastaj Hashimin. Nuk është ajo historia e vjetër me brinjën. Ishte një klonim. Pra, historia jonë fillon me ta. Fundi i tyre politik do të jetë fundi i historisë. Do të mbretëroni gjatë! – u tha Krijuesi! Veç dardha mos hani!

Këtu mëkati fillon! Te dardhat! Pjesa tjetër është një storie e cila del prej mjegullës së legjendës dhe tashmë është histori. Histori që do të tregohet brez pas brezi.
Hajt, hajt e deri në ditët e sotme, secili që hipi në pushtet nuk duroi dot dhe i hëngri dardhat e ndaluara. Prandaj, krejt çka kemi arritur deri më sot është veç një fusnotë. Për shkak të dardhëve!


E kur jemi te fusnota… të mos spekulojmë, se ky është një komunikim publik me kryeministrin. Për fusnotën dhe ne! Nuk është ndonjë shkrim akademik për të vërtetën apo për kuptimin e lirisë. Është bisedë rreth të mundshmes dhe ëndrrës.

Dihet tashmë që ne jemi një popull ëndërrimtar. Në natën e gjatë të pushtimeve jemi mësuar të ëndërrojmë. Askush nuk ëndërroi më ëmbël se ne. Pastaj, kur na doli gjumi, e pamë veten në Bllacë, në Stankovec, apo në Kukës! Edhe këta dhjetë vjet shkuan duke na përkundur. Në mes ëndrrës dhe realitetit. Ndoshta, nuk mjafton veç një dekadë për të dalluar ëndrrën prej realitetit, për të dalluar të mundshmen prej të dëshirueshmes. Kemi fjetur gjatë.

Sot njerëzit e dëgjojnë kryeministrin kah flet e po luten “Bëje Zot ëndërr!”.
Aktualisht, në Dardhani është tollovi dhe zhurmë! Askush nuk e dëgjon tjetrin se çka është kah thotë. Secili po do të marrë përgjegjësi publike. Me hipë në pushtet. Askush nuk ofron zgjidhje!
Asnjë vizion qysh të dilet prej kësaj tollovie. Prej këtij pat- pozicioni. Jemi bllokuar, njerëz! Uji që rri, qelbet! Po rrimë dhe po grindemi! Po e hamë substancën.

Kryeministri e ka marrë mikrofonin në dorë dhe po e moderon skenën politike. Po i tregon vetes përralla. Për të fjetur. E njerëzit janë bërë shumë merak qysh po fle kryeministri. A po e merr gjumi! A po rrotullohet në shtrat! Qysh i ka punët me ndërgjegjen qytetare e kombëtare!

Nuk e di si e ka hallin kryeministri: a po sheh televizor, a po lexon gazeta?
Situata është e turbullt, në Dardhani! Premtimet ndërkombëtare janë të mëdha! Edhe Srebrenica pati ndodhur falë premtimeve ndërkombëtare. Edhe Republika Serbska. Legjenda thotë se Hollbruku ishte penduar, krejt vonë. A do të vijë puna të pendohet edhe Dell-i? Ishalla nuk vjen aq keq puna, se ky është tip kauboji. Nuk pendohet lehtë. Është inatxhi!

Ata që e kanë përjetuar krejt tregimin për vëllazërimin e bashkimin nuk e besojnë lehtë fusnotën, pavarësisht se sa mbështillet në letër vizëlluese. Në nëndije iu tingëllon fjala e të vjetërve: “Mos i zini besë…”! Në ndërgjegjen kolektive muhaxheria klith thekshëm: “Mos i zini besë…”. Po e dini!

Dikur pushtetarët e autonomisë patën zënë besë. Dikush thotë se atëherë e patëm humbur lirinë! E si mund të humbasësh diçka që nuk e ke pasur. Patëm humbur ngushëllimin dhe shpresën.

E fusnota na mbeti në derë. Ndërkohë, askush ende nuk ka kërkuar falje për krimet në Kosovë. Kryesorja, Serbia po kandidon në Evropë. Evropa qytetare i zuri besë. Askush nuk kërkoi nga ajo së paku një fjali që ngjan me katarsis, për të thënë: Njerëz, na vjen keq për çfarë ju kemi bërë! Nga ne kërkohet të zëmë besë?

Gjithsesi, ne ndodhemi në pat pozicion. OKB-ja është një organizatë krejtësisht jofunksionale dhe gati askund nuk ka arritur të zgjidhë ndonjë problem për shkak të vendimmarrjes së komplikuar. Por, ky është realiteti! Ne jemi krejt të pafuqishëm për ta ndryshuar këtë fakt. Përpjekja me fusnotën është gjithsesi një dëshirë për të dalë prej kësaj situate me bindjen se koha nuk po punon për ne. Amerika është superfuqi, por nuk është zot. Nuk mund të thotë “bëhu” dhe të bëhet. Nuk mund të thotë as “zhbëhu”! Rusia më nuk është superfuqi, por ka veto. Edhe Kina!

E, kryeministri po shfajësohet publikisht për diçka që nuk ia kërkon askush. Po thotë që nuk mund ta detyrojë Rusinë të tërheqë veton.
Sidoqoftë, kryeministri e shpalli fitoren. Kjo është një fitore e madhe për Kosovën – tha. Dola në dritare, por kurrkush nuk po feston. As buri të makinave. Fitimtarët nuk valëvisin flamuj se tashmë nuk po e dinë as cilin flamur ta valëvisin. Edhe Tadiqi e shpalli fitoren. Kjo është një fitore e madhe për Serbinë – tha. Kurrkush nuk ka humbuur – po thonë ambasadorët!

Brezit tim i kujtohen ndryshimet kushtetuese kur Serbia po e rrënonte autonominë. Të gjithë pushtetarët e atëhershëm, të gjithë aktivistët e partisë dhe të transmisioneve të saj po vraponin nëpër terren për ta bindur popullin se asgjë nuk po humbnin.

Eh, kryeministër, si historian, me siguri e di atë thënien për historinë që përsëritet. Dhe, kujt i përsëritet…!
Nëse Edita nuk mund të thotë “s’e dita”, Hashimi po. Ai mundet! Mund të thotë “më kanë premtuar e më kanë bërë presion. S’kam pasur çare”. Vetoni po e thotë të kundërtën: “Askush s’e ka detyruar!”. Po thotë se Hashimi dhe Delli janë pak a shumë si Kamishi. Edhe pse nuk e kuptova se kë po e lëvdonte me këtë rast, m’u duk afër mendsh të jetë ashtu. Sidomos kur zbulojnë armiqtë e Amerikës dhe të Evropës. Ju kujtohen filmat bardh e zi? Të mirët dhe të këqijtë! Eliot Nes… bam,bam!

Sidoqoftë, Hashimi e aprovoi fusnotën. Kam negociuar me Evropën dhe Amerikën – tha! Ai vetë, pa e mbajtur kurrkush! E aprovoi dhe e shpalli për fitore. Fitoren më të madhe pas Rambujesë…! Na e la në derë.

Menjëherë pas lufte, kur në zgjedhjet e para fitoi LDK-ja, disa nga militantët e zhgënjyer të kryeministrit të sotëm, në ndeja, përplot mllef, e quanin popullin e vet “narod”…! Sepse, nuk ka ditur për kë të votojë! Nuk ka votuar për Hashimin! E tash, pas kësaj hajgareje publike, kryeministri mund të thotë lirisht: Për hair ju qoftë, o “narod”… “Pa paragjykime për statusin”.

Gëzohuni o “narod”! Krejt asfalt ua kemi bërë, deri në Serbi!
Unë për vete po përpiqem të kuptoj! Gjumi nuk po më merr e po rri në facebook. Edhe aty, militantët e Hashimit e kanë uzurpuar. Atyre bile mund t’ua bëj block. Por, njëri nga ata, pasi më bëri paçavër, më tha: “Këtu jam me 52 nofka, s’mundesh të më bllokosh!”. S’po e bllokoj!

Por, qysh t’ia bëjmë me ty, Hashim? Tash edhe me shkua, na e le fusnotën në derë! Nuk kemi çare pa e përkundë! Gjithqysh… pa paragjykime për statusin!

Në trend

Më shumë
Nesër bëhet varrimi i tre fëmijve që humbën jetën nga shembja e objektit në Jabllanicë të Gjakovës

Nesër bëhet varrimi i tre fëmijve që humbën jetën nga shembja e objektit në Jabllanicë të Gjakovës

Lajme
“Diellza imagjinare”, Bledi Mane ironizon me Gjestin: Është një fantazist i fortë, dashuron vetëm veten dhe famën

“Diellza imagjinare”, Bledi Mane ironizon me Gjestin: Është një fantazist i fortë, dashuron vetëm veten dhe famën

Magazina
Tragjedia në Jabllanicë, pamjet nga kamerat e sigurisë tregojnë momentin e shembjes së objektit ku humbën jetën tre fëmijë

Tragjedia në Jabllanicë, pamjet nga kamerat e sigurisë tregojnë momentin e shembjes së objektit ku humbën jetën tre fëmijë

Lajme
Mesazhi brutal që Ruben Amorim i dha Rashfordit para se të transferohet tek Aston Villa

Mesazhi brutal që Ruben Amorim i dha Rashfordit para se të transferohet tek Aston Villa

Premier League
Milani arriti marrëveshje me skuadrën italiane për shitjen e Theo Hernandez, por francezi refuzoi këtë lëvizje

Milani arriti marrëveshje me skuadrën italiane për shitjen e Theo Hernandez, por francezi refuzoi këtë lëvizje

Serie A
Sonte në Big Brother martohen Jozi dhe Loredana, por nuk ftojnë në dasmë Rozanën dhe Laertin

Sonte në Big Brother martohen Jozi dhe Loredana, por nuk ftojnë në dasmë Rozanën dhe Laertin

Magazina
Kalo në kategori