OVL-UÇK ka reaguar pas deklaratës së Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me organizimin e protestës gjithëkombëtare në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në reagimin e tyre thuhet se "Deklarata e Lëvizjes Vetëvendosje, e lëshuar mbrëmë vonë, tregon qartë se kjo parti po përpiqet të politizojë dhe të zbehë qëllimin e protestës së madhe që do të mbahet në Tiranë më 17 tetor".


"Kjo protestë nuk është e asnjë partie politike – ajo është zëri i popullit shqiptar, zëri i veteranëve, i familjeve të dëshmorëve dhe i gjithë atyre që nuk pajtohen me padrejtësinë që po u bëhet krerëve të UÇK-së në Hagë.Nuk ka forcë politike që mund ta ndalë apo ta përvetësojë këtë zë", vijon reagimi.

Më tej, thuhet se OVL UÇK nuk lejon dhe nuk do të lejojë që lufta e shenjtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të përdoret për interesa partiake.

"Ne nuk kërkojmë retorikë politike, kërkojmë drejtësi për luftëtarët tanë dhe ndëshkim për krimet e Serbisë".

Në reagim thuhet se protesta e Tiranës është protestë e kombit, jo e partive.

"Aty do të jenë mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet, për të treguar se UÇK-ja është nderi i kombit dhe s’ka gjykatë që mund ta njollosë atë.

Në të njëjtën kohë, OVL UÇK shpreh falënderim të sinqertë për Kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama, i cili është treguar zë i qartë dhe mbështetës i kësaj kauze të drejtë, si dhe për institucionet shqiptare që kanë dhënë mbështetje të plotë për mbarëvajtjen dhe organizimin e protestës në Tiranë"./Telegrafi/