Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është kundërpërgjigjur deklaratës së presidentes Vjosa Osmani lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve të fundit parlamentare, duke theksuar se 28 dhjetori ishte e vetmja datë e mundshme për mbajtjen e tyre.

E pyetur për deklaratat se ka dashur t’i bëjë puç me udhëheqësit e Shqipërisë, kryeministrit Albin Kurti, Osmani ka thënë se nuk mund të konsiderohet puç ndaj dikujt duke ia dhënë datën 28 dhjetor për zgjedhjet nacionale, duke pritur diasporën e duke vizituar edhe komunat të cilat udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje.



“Ky organizim ka qenë në shtator dhe unë kam marrë pjesë vetëm 10 minuta në takim me presidentin Begaj, pra a ia paskam organizuar pas shtatorit unë puçin Kurtit duke ia dhënë datën 28 dhjetor, duke ia hequr masat Kosovës, duke i sjellur Kosovës njohje ia paskam organizuar puçin, duke vizituar komunat që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje ia paskam hequr puçin, duke pritur diasporën? Nëse këto konsiderohen puç, atëherë po kthehem aty ku e thashë edhe në fillim - kur aleatja më e fuqishme e tyre konsiderohet kështu, imagjinojeni të tjerët”, ka deklaruar Osmani.

Duke folur për procesin zgjedhor, Kurti tha se sipas vlerësimit të tij dhe rrethanave të krijuara, organizimi i zgjedhjeve më herët nuk ishte i realizueshëm për shkak të sfidave teknike dhe logjistike.

“Zgjedhjet e fundit janë mbajtur më 28 dhjetor, për bindjen time të fuqishme zgjedhjet nuk ka qenë e mundur të mbahen më 21 dhjetor për shkak se ekziston edhe shkresa nga sekretariati i KQZ-së, ku thuhet se e kanë të pamundur organizimin e zgjedhjeve për 21 dhjetor për të përmbushur afatet e domosdoshme kohore lidhur me sfidat teknike e logjistike”, ka deklaruar Kurti.

Ai theksoi se organizimi i zgjedhjeve u vështirësua edhe nga fakti se vendi kishte kaluar nëpër dy raunde të zgjedhjeve lokale para se të hynte në procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Mos harroni që ne kishim në tetor dhe nëntor edhe dy raunde të zgjedhjeve lokale dhe hymë në procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare ende pa u bërë certifikimi i zgjedhjeve lokale. Prandaj, nuk ka pasur mundësi tjetër për datë përveçse më 28 dhjetor”, tha ai.

Sipas Kurtit, edhe opsioni për mbajtjen e zgjedhjeve më 4 janar nuk ishte i mundur për shkak të kufizimeve buxhetore.

“Nëse dikush do të mendonte se ka qenë e mundur të organizohen zgjedhjet më 4 janar, as kjo s’ka qenë e mundur për shkak të aspektit buxhetor. Në muajt e fillimit të këtij kemi shkuar me buxhetin 1/12 dhe kjo nuk do të mjaftonte për shpenzimet e KQZ, pasi KQZ-së i duhen më shumë mjete në muajt kur ka zgjedhje”, ka shtuar Kurti. /Telegrafi/