Osmani pjesë e LDK-së? Lushaku: Gjithçka i takon të ardhmes, LVV e ka përgjegjësinë për presidentin

Jehona Lushaku, shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka deklaruar se partia e saj nuk ka pranuar asnjë ftesë nga kryeministri Albin Kurti për takim me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Ajo theksoi se përgjegjësia për procesin e zgjedhjes së presidentit i takon partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, si subjekti më i madh parlamentar.
Sipas Lushakut, deri më tani nuk është prezantuar asnjë emër për president dhe nuk ka pasur iniciativë zyrtare për thirrjen e seancës.
“Partia e parë e mban përgjegjësinë për të prezantuar një emër për president dhe për ta thirrur seancën me 30 nënshkrime. Deri në këtë moment nuk kemi ndonjë kandidat të prezantuar”, tha ajo.
LDK, sipas saj, ka shprehur gatishmërinë për të marrë pjesë në dialog dhe në procesin e zgjedhjes së presidentit, në përputhje me obligimet që i takojnë një partie parlamentare në një shtet demokratik.
E pyetur nëse Abdixhiku ka marrë ftesë për takim nga Kurti, Lushaku u përgjigj se nuk është në dijeni për një gjë të tillë. “Nuk kam parë që ka një takim. Nuk ka as ftesë për kryesi, as për seancë. Ne vetëm po presim që të ketë ftesa”, deklaroi ajo.
Sa i përket raportimeve për mundësinë që presidentja Vjosa Osmani të bëhet pjesë e listës së LDK-së, Lushaku nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, duke theksuar se këto çështje i përkasin të ardhmes.
Ajo përsëriti se LDK mbetet e hapur për diskutime dhe për arritjen e një emri konsensual për president. /Telegrafi/



















































