Osmani në Turqi takon ministrat e Jashtëm të Çadit dhe Tanzanisë

Presidentja Vjosa Osmani, në kuadër të pjesëmarrjes së saj në Forumin Diplomatik të Antalya-s në Turqi, ka zhvilluar takime të ndara me ministrat e Punëve të Jashtme të Çadit dhe Tanzanisë.
Gjatë takimit me ministrin e Çadit, Abdoulaye Saber Fadoul, presidentja Osmani theksoi përkushtimin e Kosovës për të ndërtuar lidhje më të fuqishme me shtetin e Çadit, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Përmes një postimi në platformºn "X", Osmani u shpreh se forcimi i marrëdhënieve bilaterale mund të realizohet përmes shkëmbimit të përvojave në procesin e shtetndërtimit dhe zhvillimit.
“Në Antalia, pata një takim produktiv me ministrin e Jashtëm të Çadit, Abdoulaye Saber Fadoul. Ne shprehëm mirënjohjen për mbështetjen e Çadit dhe kërkuam mënyra për të forcuar bashkëpunimin tonë në fusha të tilla si diplomacia, ekonomia, arsimi dhe bujqësia”, ka shkruar Osmani.
Ndërkaq në takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Tanzanisë, Mahmoud Thabit Kombo u diskutuan mundësitë për të forcuar bashkëpunimin mes Kosovës dhe Tanzanisë, duke u fokusuar në fusha si ekonomia, tregtia, turizmi, bujqësia dhe teknologjia informative.
"Ne gjithashtu eksploruam shumë rrugë për bashkëpunim të bazuar në vlerat e përbashkëta dhe një vizion të përbashkët për zhvillim, paqe dhe prosperitet", ka shkruar Osmani.
Gjatë dy ditëve të pjesëmarrjes në në Forumin Diplomatik të Antalya-s presidentja Osmani ka zhvilluar disa takime me burrështetas të vendeve të ndryshme të botës. /Telegrafi/















































