Osmani: Mitrovica i dha Kosovës njerëz që nuk u përkulën kurrë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar ngjarjet e 24 marsit 1999, duke nderuar sakrificën e familjeve Hajrizi dhe Berisha, të cilat humbën më të dashurit e tyre gjatë luftës në Kosovë.
Në një postim Osmani theksoi se kjo datë mbart një domethënie të veçantë për qytetin e Mitrovicës dhe për gjithë vendin.
“Për ne që u rritëm në Mitrovicë, data e 24 marsit nuk është vetëm një datë përkujtimi. Është edhe kujtesa e forcës së jashtëzakonshme të familjes Hajrizi e familjes Berisha, por edhe e krenarisë që ky qytet i ka dhënë Kosovës burra e gra që nuk u përkulën kurrë", tha Osmani.
Ajo përkujtoi me nderim profesorin Latif Berisha dhe Agim Hajrizin, së bashku me anëtarët e familjeve të tyre që u vranë gjatë luftës.
“Sot, në përvjetorin e 24 marsit 1999, kujtojmë me nderim Profesor Latif Berishën si dhe Agim Hajrizin, bashkë me nënën e tij dhe Ilirin e vogël, të vrarë nga regjimi gjenocidal i Serbisë në një nga ditët më vendimtare për Kosovën”, u shpreh Osmani.
Presidentja bëri të ditur se gjatë ditës janë zhvilluar aktivitete përkujtimore dhe vizita tek familjet e viktimave.
“Në akademinë përkujtimore dhe në vizitat tek familjet e tyre, sot u përulëm me respekt para sakrificës së tyre, duke ripërtërirë zotimin se kujtimi për ta do të jetojë përherë në historinë dhe në ndërgjegjen e shtetit tonë”, theksoi presidentja.
Në fund, Osmani shprehu mbështetje dhe solidaritet për familjet e të rënëve dhe për shtetin e Kosovës.
“Zoti e bekoftë familjen Hajrizi, familjen Berisha dhe Republikën e Kosovës". /Telegrafi/



















































