Osmani: Koha që BE-ja ta vlerësojë progresin në Kosovë dhe të largojë masat e padrejta

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih, ka takuar Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa.
Osmani, në një postim në Facebook, ka thënë se është koha që BE-ja ta njohë dhe vlerësojë progresin e Kosovës.
“Populli ynë ka dëshmuar përkushtim të palëkundur ndaj vlerave evropiane dhe ka bërë hapa domethënës në rrugëtimin drejt integrimit. Është koha që BE-ja ta njohë dhe vlerësojë këtë progres, përfshirë duke larguar masat e padrejta dhe duke i hapur rrugë Kosovës drejt statusit të kandidatit”, ka shkruar Osmani.
Presidentja Osmani takoi sot edhe presidentin e Letonisë, Edgars Rinkeviçs.
Ajo tha se Kosova dhe Letonia janë të paluhatura në angazhimin për siguri, paqe dhe vlerat që na bashkojnë.
“Takim i shkëlqyer me Presidentin e Letonisë, Edgars Rinkeviçs në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Si dy shtete në frontin e parë të ruajtjes së demokracisë, Kosova dhe Letonia janë të paluhatura në angazhimin për siguri, paqe dhe vlerat që na bashkojnë”, ka shkruar Osmani.
Osmani ka zhvilluar një takim me Gjeneralin Christopher Cavoli, Komandantin Suprem të Forcave Aleate për Evropë (SACEUR) në NATO.
Në njoftimin e presidentes në Facebook, thuhet se gjatë takimit kanë diskutuar mbi rolin e pazëvendësueshëm të NATO-s në Kosovë gjatë 23 viteve të fundit në mbrojtje të sigurisë dhe stabilitetit.
Osmani sot ka takuar delegacionin e kongresistëve amerikanë.
“Mbështetja e Kongresit Amerikan ka luajtur një rol kyç në shkrimin e historisë së Kosovës së lirë, të pavarur dhe sovrane. Kjo mbështetje vazhdon edhe sot, ndërsa punojmë së bashku për të adresuar sfidat e përbashkëta dhe për të hapur kapituj të rinj bashkëpunimi që thellojnë dhe fuqizojnë më tej aleancën tonë historike”, ka shkruar presidentja.
Presidentja Osmani takoi sot edhe deputetët Annette Widmann-Mauz dhe Jurgen Hardt nga radhët e CDU-së.
Presidentja Osmani ka shkruar se bashkëpunimi me Gjermaninë mbetet një nga prioritetet kryesore, e CDU si parti ka kontribuar ndër vite në kultivimin e marrëdhënieve tona bilaterale. /Telegrafi/


















































