Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ambasadorin e Francës në Kosovë Olivier Guérot, me të cilin ka diskutuar mbi zhvillimet e fundit në vend dhe zgjedhjet e parakohshme nacionale më 28 dhjetor.

Osmani theksoi rëndësinë e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor dhe respektimit të standardeve më të larta demokratike, për çka Kosova tashmë është shembull.


Në takim u diskutua edhe për marrjen e detyrës së kryetarëve të zgjedhur të komunave të Kosovës, përfshirë komunave në veri të vendit, proces ky që u realizua sot.

Presidentja theksoi urgjencën e heqjes së masave të BE-së të cilat padrejtësisht e pa asnjë arsye janë ende në fuqi dhe po dëmtojnë interesat e të gjithë qytetarëve, pa dallim.

Osmani ritheksoi përkushtimin për forcimin e partneritetit ndërshtetëror mes Kosovës dhe Francës.

BE-ja vendosi masa ndëshkuese më 2023 që përfshinin suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, mos ftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë, suspendimin e vizitave bilaterale, programimi i fondeve. Vendi ynë mbeti jashtë granteve që BE-ja miratoi në korrik 2023 në vlerë 2.1 miliardë euro.

Gjatë një vizite këtë vit në Kosovë, shefja e diplomacisë evropiane Kaja Kallas tha se BE-ja ka nisur t’ia heqë gradualisht masat, por nuk dha më shumë detaje.

Është raportuar se masat që kanë nisur të hiqen kanë të bëjnë me MSA, paktit të parë kontraktual ndërmjet Kosovës dhe BE-së dhe Kornizën e Investimeve për Ballkanin Perëndimor.