Osmani: Kam marrë informacione se Serbia ka tendenca destabilizuese ndaj Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se në fund të muajit maj, institucionet e sigurisë kanë pranuar informacione specifike që tregojnë për tendenca destabilizuese nga ana e Serbisë ndaj Kosovës.
Në një konferencë për media, Osmani theksoi se propaganda dhe gënjeshtrat nga Serbia janë të vazhdueshme, por siguroi qytetarët se nuk ka vend për panik.
“Gënjeshtrat e Serbisë janë pjesë e propagandës së tyre të vazhdueshme. I siguroj qytetarët që nuk ka nevojë për panik. Kërcënimet nga Serbia janë të vazhdueshme, megjithatë institucionet tona kanë gjithçka nën kontroll,” u shpreh presidentja Osmani.
Ajo nënvizoi se qytetarët janë informuar për këto zhvillime dhe përmendi në veçanti deklaratat e ministrit në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, si pjesë e transparencës institucionale.
Në të njëjtën konferencë, Osmani foli edhe për vizitën e saj të fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar si një sërë takimesh jashtëzakonisht të rëndësishme.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shohin Kosovën si një aleat strategjik. Kjo u konfirmua qartë në të gjitha takimet që patëm atje,” tha presidentja.
Ajo përfundoi duke theksuar rëndësinë e mbështetjes ndërkombëtare dhe angazhimit të institucioneve vendore për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në vend.
Kur është pyetur për akuzat e të dërguarit të presidentit amerikan për Misione të Posaçme, Richard Grenellit se Osmani po manipulon me deklaratat e Trumpit, presidentja ka thënë se ajo vetëm e ka falënderuar presidentin Trump për rolin e tij në botë në përgjithësi, dhe në rajonin e Ballkanit për ruajtjen e paqes dhe sigurisë.
“Unë jam përgjigjur në pyetje dhe i ftoj vetë qytetarët e Kosovës që t’i dëgjojnë ato deklarata për të cilat unë jam pyetur. Ndër të tjera është deklarata e datës 25 qershor 2025, mund t’i dëgjoni vetë. Thuhet se 'në javën e fundit u kujdesshëm për Indinë e Pakistanin, Kosovën dhe Serbinë'”, ka deklaruar Osmani duke cituar deklarimet e Trumpit në javët e fundit.
“Nuk kam interpretuar deklarata të presidentit Trump, por kam treguar se si i kam kuptuar unë si presidente e Republikës së Kosovës. Nëse qëndrimi i Shteteve të Bashkuara është ndryshe, besoj që mund t’iu drejtoheni, mirëpo ne e vlerësojmë rolin e presidentit Trump si paqebërës ditë e natë për paqe në botë. E vlerësojmë jashtëzakonisht këtë kontribut. Nuk dua të deklaroj si e kam komentuar tjerët deklaratën time”.
Vetë Trump i ka përmendur Kosovën dhe Serbinë në disa raste në javët e fundit, duke thënë se ka parandaluar një konflikt mes tyre, por pa ofruar hollësi për periudhën kohore./Telegrafi/


















































