LAJMI I FUNDIT:

Osmani: Jemi ndër vendet e pakta që kanë nivel të garantimit të drejtave të komuniteteve

Osmani: Jemi ndër vendet e pakta që kanë nivel të garantimit të drejtave të komuniteteve

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha sot Kosova është ndër vendet e pakta që kanë një nivel të garantimit të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, por edhe të qytetarëve në përgjithësi.

Ajo këto komente i bëri në konferencën “Analizë gjithëpërfshirëse e Kushtetutës së Kosovës”, organizuar nga Grupi për Ballkan me rastin e 15-vjetorit të Kushtetutës së Kosovës.


“Në pesëmbëdhjetë vjetorin e Kushtetutës sonë, përveç urimeve më të mira për të gjithë ata që ndihmuan në hartimin e Kushtetutës, por edhe zbatimin e çdoditshëm të saj, na duhet edhe të reflektojmë mbi atë se a përbën kjo Kushtetutë bazë të mirë për ecjen tutje të vendit tonë dhe mbi atë se si ta maksimalizojmë funksionalitetin e saj për nevojat e shoqërisë sonë sot.

Nën këtë reflektim, është e rëndësishme që së pari të ritheksojmë rëndësinë e nivelit më të lartë të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive që garanton kjo Kushtetutë.

Me shumë krenari e them gjithmonë se jemi ndër vendet e pakta, nëse jo të vetmet, që kanë një nivel të këtillë të garantimit të të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, por edhe të qytetarëve në përgjithësi. Këto të drejta dhe liri, janë thelbi i vlerave tona shoqërore dhe si të tilla duhet të mbesin të paprekura nga kushdo”, tha ajo.

E para e shtetit më tej deklaroi se është po kaq e rëndësishme të ritheksohet fakti se këto të drejta nuk kanë mbetur vetëm deklarative e të shkruara në Kushtetutë, por vërehet qartë se institucionet tona përpiqen çdo ditë që t’i zbatojnë ato, e qytetarët luftojnë për to çdo ditë.

“Në një botë ideale, do të prisnim që të drejtat dhe liritë kushtetuese të qytetarëve të zbatohen e të respektohen natyrshëm nga të gjithë. Megjithatë, në realitet, është me rëndësi që edhe në rastet kur ka kërcënim ndaj këtyre të drejtave, institucionet e vendit të reagojnë në mënyrën më të mirë, më efikase të mundshme, me masat e duhura gjithnjë në mbrojtje të këtyre të drejtave.

Për këtë arsye, kam bërë thirrje të vazhdueshme për përmirësime në reagime të institucioneve ligjzbatuese sidomos në rastet të dhunës në familje dhe dhunës kundër grave. Gjatë kësaj periudhe të mandatit tim, kam propozuar e shtyrë përpara masa të ndryshme që të përmirësohet reagimi i institucioneve tona në këtë drejtim”, tha ajo.

Presidentja më tej theksoi se Kosova është vendi me vlerësimet më të larta në rajon, në vlerësimet e World Justice Project, në kuadër të të cilit vlerësohen jo vetëm korniza ligjore e vendit tone, por edhe korniza institucionale dhe zbatimi i standardeve në praktikë.

“Një armë shumë e fortë e Kushtetutës sonë është gjithashtu korniza institucionale që ajo parasheh, si dhe parakushtin kryesor që ajo kornizë e ka që të funksionojë si duhet: ndarja e pushteteve si dhe barazpesha midis tyre.

Është pikërisht kjo ndarje e pushteteve dhe baraspesha midis tyre ajo që do të sigurojë që vendi ynë të ecë përpara duke e mundësuar zbatimin edhe të pjesëve të tjera të Kushtetutës, duke u nisur nga Kapitulli II mbi të drejtat dhe liritë e qytetarëve tanë. Janë pikërisht këto institucione ato të cilat duhet të vihen në lëvizje vetë për të siguruar se çdo shkronjë e kësaj Kushtetute respektohet edhe atëherë kur duhet ta korrigjojnë praktikën e njëri-tjetrit.

Kushtetuta jonë është tejet unike edhe në faktin se i mveshë Presidentes së Republikës një detyrë tejet të rëndësishme; një detyrë substanciale: atë për të garantuar funksionimin kushtetues të institucioneve që parashihen në këtë Kushtetutë.

Kjo është një nga detyrat më të mëdha që i ka institucioni i Presidentit”, tha ajo.

Më tej ajo tha se gjatë këtyre dy viteve të mandatit është udhëhequr çdo ditë nga ky parim edhe gjatë ushtrimit të kompetencave të tjera, si ato në fushën e drejtësisë, të sigurisë, të politikës së jashtme dhe fusha të tjera.

“Në anën tjetër, nga vështrimi akademik, jam e bindur se vendit tonë i duhen edhe shumë vite të tjera të ushtrimit të kësaj kompetence për të kuptuar më mirë përmbajtjen e thellë të saj dhe efektin që ajo ka në formësimin e rolit të Presidentes në rregullimin e  jetës institucionale, dhe po ashtu shpeshherë edhe në parandalimin e dëmeve të pariparueshme që mund t’i ndodhin vendit në qoftë se nuk ushtrohet ajo si duhet.

Kjo nënkupton në shumë raste parandalimin e dëmeve që do të dëmtonin edhe institucione të tjera dhe besimin qytetarë në to”,  u shpreh presidentja.

“Në kohën që po flasim, para Gjykatës Kushtetuese janë në vlerësim edhe amendamentet për vetingun, si proces jashtëzakonisht i rëndësishëm për të  garantuar që institucionet tona të drejtësisë të jenë të udhëhequra nga profesionistë me integritet të lartë. Ndryshime të këtilla, besoj, vetëm sa do të ndihmojnë Kushtetutën tonë që t’i rezistojë kohës, duke ecur në një hap me të dhe kërkesat e saj, e mbi të gjitha siç e përmenda më herët për të rritur besimin qytetar në institucionet e drejtësisë”, tha Osmani.

E para e shtetit më tej deklaroi se ligjet – në këtë rast edhe vet Kushtetuta si akti më i lartë juridik i vendit tonë- marrin kuptim të plotë atëherë kur i shërbejnë përmirësimit të mirëqenies së përgjithshme e avancimit të të drejtave individuale si dhe interesit kolektiv.

“Andaj, gjatë zbatimit të këtyre dispozitave, duhet ngritur gjithnjë pyetjet e duhura; duhet prirë nga parimet e duhura; duhet synuar me ngulm të mos distancohemi nga busulla morale.

Devijimi nga ajo çka është e drejtë dhe e duhur, mund edhe të sjellë ndonjëherë përfitime afatshkurtra për individë ose grupe të caktuara, por dëmi është gjithnjë afatgjatë e me raste edhe vështirë i rikuperueshëm.

Dëmi është jashtëzakonisht serioz. Sepse, s’ka gjë më të dhimbshme e më dëshpëruese për një shoqëri se sa të humbin besimin në drejtësinë e ligjit, në etiken e ligjit. Prandaj, një gjë është e sigurt: edhe kur e tashmja mund të sfidohet nga padrejtësia, koha e gjen gjithnjë mënyrën e vet për ta sjell përfundimisht drejtësinë në vend”, tha ndër të tjera, Osmani. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
KSHZ publikon rezultatet e para përfundimtare, këto janë rezultatet

KSHZ publikon rezultatet e para përfundimtare, këto janë rezultatet

Politikë
Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Lajme
Bujar Osmani shpall fitore: Dallimi është mbi 40 mijë vota ndaj Taravarit

Bujar Osmani shpall fitore: Dallimi është mbi 40 mijë vota ndaj Taravarit

Politikë
Zgjedhjet në RMV, Abdixhiku: Sikur shqiptarët të bëheshin bashkë me një kandidat, sot do të ishin në balotazh

Zgjedhjet në RMV, Abdixhiku: Sikur shqiptarët të bëheshin bashkë me një kandidat, sot do të ishin në balotazh

Lajme
Iu mori shokëve një milion euro duke mashtruar për vetëvrasje:

Iu mori shokëve një milion euro duke mashtruar për vetëvrasje: "Unë po i jap fund jetës, amanet gruan dhe dy djemtë"

Lajme
Rezultatet e para përfundimtare në Tetovë, këto janë rezultatet

Rezultatet e para përfundimtare në Tetovë, këto janë rezultatet

Politikë
Kalo në kategori