LAJMI I FUNDIT:

Osmani: Me hyrjen e trupave të NATO-s, u rilidh aleanca jonë me popujt e lirë

Osmani: Me hyrjen e trupave të NATO-s, u rilidh aleanca jonë me popujt e lirë
Foto: Arkiv

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani në seancën solemne për ditën e çlirimit të Kosovës, tha se 21 vite më parë u realizua ëndrra dhe përkushtimi i brezave të tërë që luftuan për liri e pavarësi.

Osmani tha se shkaku i pandemisë, sot në këtë seancë mungojnë miqtë e shumtë të Kosovës që ndihmuan për këtë ditë.


“Ndjehem e nderuar që mund tju drejtohem sot nga foltorja e tempullit të demokracisë dhe tu përcjell urimet për ditën e çlirimit të Kosovës. Shkaku i rrethanave të krijuara nga pandemia na është pamundësuar që kjo seancë të mbahet pa miqtë tanë të shumtë që i janë gjetur vendit tonë në ditët më të vështira. Pjesëtarët e NATO-s nuk janë me ne në këtë sallë por festojnë me ne. Ata kanë bërë shumë që ne të jemi sot këtu të jetojmë të lirë dhe ta ndërtojmë gradualisht Kosovën që duam ne në një shtet ku sundon rendi e ligji, ku garantohet siguria humane dhe ku shteti mbi të gjitha është në shërbim të qytetarëve të vet”, ka thënë Osmani.

Ajo tha se me hyrjen e trupave të NATO-s u rilidh aleanca jonë me popujt e lirë, shkruan Telegrafi.

“Si sot 21 vjet më parë u realizua ëndrra dhe përkushtimi i brezave të tërë që luftuan për liri., të bindur se politikat shfarosëse dhe dhuna e regjimeve nuk mund ta shuajnë kur vullnetin e një populli për të jetuar i lirë. Atë ditë në Kosovë zbarkuan trupat e parë të NATO-s, pas 78 ditësh bombardimeve të caqeve ushtarake jugosllave dhe policisë serbe, shpresa ngadhënjeu, Kosova e pa dritën e lirisë e qytetarët morën frymë e përjetuan ditën e çlirimit. Hyrjes së trupave të NATO-s i parapriu marrëveshja e Kumanovës e 9 qershorit që i dha fund pranisë së regjimit serb në Kosovë. Me hyrjen e trupave të NATO-s u rilidh aleanca jonë me popujt e lirë, të cilën e kemi dëshmuar në tri momente jetike në historinë e popullit tonë, momente që kanë shënuar ekzistencën tonë dhe identitetin tonë properëndimor”, u shpreh Osmani.

Kryeparlamentarja tha se këto tri momente jetike ishin projekti integrues i Skënderbeut, Lidhja e Prizrenit dhe projekti ynë nacional-kulturor i bashkimit të gjithë shqiptareve gjatë viteve të 90-ta.

Osmani theksoi se rrugëtimi ynë nuk do të përmbyllej kurrë pa përkushtimin e miseve tanë të shumtë gjithandej globit.

Respekt e mirënjohje pa fund Kosova do të ketë për sekretaren Albright, presidentin Bush, kryeministrin Bler, kancelarit Shroeder, presidentit Shirak, kryeministri Dalema, sekretarin gjeneral të NATO-s Javier Solana, gjeneralin e NATO-s në atë kohë Wesley Clark e shumë e shumë emra të tjerë.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, ka përmendur edhe  kontributin e UÇK-së për lirinë e vendit.

“Po kështu, i kujtojmë sot edhe heronjtë tanë, të cilët lirinë e vendit e patën ideal jetësor, komandantin e Ushtrisë Çlirimtare, Adem Jasharin, familjen Jashari, e cila dha gjithçka për Kosovën, u sakrifikuan për lirinë e vendit, dëshmorët e heronjtë e këtij vend”, ka thënë zonja Osmani.

Më tej, ajo i ka përmendur edhe të pagjeturit, martirët dhe të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës.

“I kujtojmë po kështu me dhimbje mbi 1.600 të pagjeturit ende, bijtë e nënë Ferdonijes e të shumë nënave të tjera, i kemi në vëmendje vuajtjet e grave që i mbijetuan dhunës seksuale gjatë luftës, i kujtojmë martirët e shumtë, përfshirë gratë, fëmijët e pleqtë, si dhe të gjithë njerëzit e mirë të këtij vendi, të cilët sakrifikuan çdo gjë për lirinë e vendit të tyre”, ka thënë Osmani.

Fjalimi i plotë i kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani:

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës,

Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar!

Ndjehem tepër e nderuar që mund t’ju drejtohem sot nga foltorja e tempullit të demokracisë, Kuvendit të Republikës, dhe t’jua përcjell urimet më të mira me rastin e 12 qershorit, ditës së lirisë dhe çlirimit të shtetit tonë të dashur, Republikës së Kosovës për të gjithë qytetarët pa dallim.

Shkaku i rrethanave të krijuara nga pandemia Covid-19 dhe duke respektuar rekomandimet e institucioneve shëndetësore për respektim të distancës sociale, na është pamundësuar që kjo seancë solemne të mbahet me mysafirë të ftuar, të shumtë, të cilët i janë gjetur vendit tonë në ditët më të vështira dhe të cilët do ta madhështonin këtë solemnitet.

Pjesëtarët e trupave paqeruajtëse të NATO-s, sot nuk janë me ne në këtë sallë, por festojnë me ne. Ata kanë bërë shumë që ne sot të jemi këtu, të ndihemi të lirë, të jetojmë të lirë dhe ta ndërtojmë gradualisht Kosovën që e duam ne në në një shtet ku sundon rendi e ligji, ku garantohet siguria humane dhe fizike në çdo cep të vendit dhe ku shteti mbi të gjitha është në shërbim të mirëqenies së qytetarëve të vet.

Të dashur qytetarë!

Si sot, 21 vjet më parë, u realizua përfundimisht ëndrra dhe përkushtimi i brezave të tërë, të cilët jo vetëm që e ëndërruan lirinë por edhe luftuan për të, të bindur se politikat shfarosëse dhe dhuna e regjimeve nuk mund ta shuajnë kurrë vullnetin e një populli për të jetuar i lirë e i mosvarmë.

Atë ditë në Kosovë zbarkuan trupat e parë të Aleancës më të fuqishme në histori të njerëzimit- trupat e NATO-s. Pas 78 ditë bombardimesh të caqeve ushtarake jugosllave dhe të policisë serbe, shpresa ngadhënjeu. Kosova e pa dritën e lirisë, teksa qytetarët e saj morën frymë, e përjetuan atë që njihet si ditë e lirisë, apo ditë e çlirimit.

 Hyrjes së trupave të NATO-s u parapriu marrëveshja e Kumanovës, e 9 qershorit, e cila i dha fund pranisë së regjimit jugosllav e serb në Kosovë. E, me hyrjen e NATO-s në Kosovë, u rilidh aleanca jonë me popujt e lirë, aleancë të cilën ne e kemi dëshmuar së paku në tri momente jetike në historinë e popullit tonë, momente që e kanë shënuar jo vetëm ekzistencën tonë, por edhe identitetin tonë pro-perëndimor, të cilit i përkasim qysh në krye të herës: projekti integrues i Skënderbeut, Lidhja e Prizrenit, 142-vjetorin e së cilës e festuam dy ditë më parë, si dhe projekti ynë nacional-kulturor i bashkimit të të gjithë shqiptarëve gjatë viteve të ’90-ta.

Projekti i parë, ai i Skënderbeut, e krijoi aleancën e përbashkët me qytetërimin perëndimor, duke e mbrojtur atë në portën hyrëse të saj, në Arbëri. Lidhja e Prizrenit e ridëshmoi përkatësinë tonë kombëtare, sensibilizoi nevojën e rizgjimit kombëtar karshi copëtimit të tokave shqiptare dhe depërtimit nga trojet tona stërgjyshore. Lëvizja për pavarësi e viteve ’90, ndërkaq, e vulosi përfundimisht orientimin tonë properëndimor dhe krijimin e miqësive dhe aleancave. Ajo ishte nismëtare e ndryshimit idelologjik në Ballkanin e trazuar dhe të stërkequr nga sistemi komunist, duke e sforcuar identitetin tonë politik e historik dhe duke e bërë të mundur jetësimin e shtetit të Kosovës. Ajo e krijoi solidaritetin e thellë e të papërsëritshëm në mes qytetarëve të këtij vendi, si dhe e ringjalli frymën e lirisë, e cila, duke u ripërtërirë, ka mbijetuar gjithmonë në shpirtin tonë. Përfundimisht, u dëshmua në Kosovë më shumë se kudo tjetër në botë se liria e jashtme mund të vijë vetëm nëse e fitojmë lirinë e brendshme. Lëvizja na mësoi që, sikur thoshte modeli filozofik i Rugovës, Pjetër Bogdani, në mundime ta shpalosim guximin, në rreziqe ta ruajmë besimin, ndërsa në turbullira të veprojmë me qetësi. Prandaj, ne u çliruam edhe sepse e fituam lirinë e brendshme, sepse guxuam të ëndërrojmë e luftojmë për liri, sepse e ruajtëm besimin dhe sepse, mbi të gjitha, këmbëngulëm në vlerat humane kur fqinjët tanë verior i shkelnin ato.

Aleancat historike të ndërtuara ndër vite ishin bazë e fortë që në orët e liga, në të cilat kaloi Kosova, të luajnë rol jo vetëm historik, por edhe ta rinisin jetën. Këto aleanca na shpëtuan nga zhbërja, prandaj sot jemi këtu në këtë përvjetor edhe falë tyre dhe u përulemi me pietet.

Rrugëtimi ynë nuk do të përmbyllej kurr pa përkushtimin e miqve tanë të shumtë gjithandej globit, të cilat lëvizja i krijoi dhe i ruajti me përkushtim. Te cilat populli i Kosovës në çdo cep të saj i ndërtoi e i ruan edhe sot. Ai nuk do të ishte i mundur sikur presidenti i SHBA-ve në atë kohë, presidenti Bill Clinton, të mos e dëgjonte lutjen e Nënë Terezës që ta ndihmonte dhe ta ruante popullin e saj shqiptar; pa përkushtimin e vetë Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj parimeve të lirisë dhe pa këmbënguljen e miqve tanë në kongres dhe senat, por edhe të gjitha administratave, edhe të demokratëve, dhe të republikanëve, përfshirë presidentin Bush dhe presidentët e tjerë që erdhën pas tij. Respekt e mirënjohje të pafund Kosova do të këtë edhe për sekretarën e shtetit znj. Medeleine Albright si dhe këmbënguljen e kryeministrit Blair, për këmbënguljen dhe ndihmën e kancelarit Shroeder, presidentit Shirak, kryeministrit Massimo D’alema, sekretarit gjeneral të NATO-s Javier Solana, dhe gjeneralin e NATO-s në atë kohë Wesley Clark.  Por edhe për shumë e shumë emra të tjerë qe na u gjenden në kohërat më të rënda.

Ne do t’u jemi përjetësisht mirënjohës atyre për rreshtimin e tyre në krah të popullit të Kosovës në një moment të rëndë historik, kur shfarosja dhe dëbimi ishin bërë projekt hegjemonist, të cilin po kujdesej ta realizonte regjimi gjenocidal i Millosheviqit. Për një rrezik të tillë kanë folur edhe dy sekretarë të Përgjithshëm të NATO-s, Sekretari Stoltenberg si dhe sw fundi edhe zëvendëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana. Qw tw dy konfirmuan qw NATO-ja intervenoi në Kosovë për të parandaluar gjenocidin.

 Kjo përkrahje tashmë është shndërruar në miqësi të përhershme, të cilën ne do të dimë ta kultivojmë më tej e ta ruajmë, ashtu siç na mësuan paraardhësit tanë. Sepse, është në traditën tonë që miqësitë t’i krijojmë e t’i ruajmë.

Por, kur e kujtojmë 12 qershorin e 99-ës, ne nuk mund të mos e kthejmë vëmendjen në përpjekjet e pafundme të gjeneratave të tëra, të bijve dhe bijave të këtij vendi, të cilët, të bindur fort se liria është e arritshme, nuk pushuan kurrë së punuari e luftuari për të. Në këtë ditë, ne e kujtojmë dr. Ibrahim Rugovën, ikonën e përbashkët të lirisë, njeriun e dijeve, liderin shpirtëror të shqiptarëve, njeriun për të cilin ish-kryeministri britanik, z. Tony Blair, mes tjerash kishte thënë: “Më 1998 ai erdhi në një vizitë në Downings Street. Ishte një person i heshtur dhe modest. Deri sa po dilte, më tha: të lutem, një gjë të vetme ta kërkoj. Mos lejo që njerëzit e mi të vuajnë më. Ndjej për ata atë që do të kishe ndjerë për popullin tënd dhe ndihmo. I thashë se Britania do të ndihmonte. Ia dhashë besën time Rugovës, fjalën e nderit, dhe e mbajta, e çliruam Kosovën”.

Po kështu, i kujtojmë sot me pietet e me ndërimet më të larta heronjtë tanë, të cilët lirinë e vendit e patën ideal jetësor. E kujtojmë komandantin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare, Adem Jasharin, gjithë familjen Jashari, e cila dha gjithçka për Kosovën, u sakrifikuan për lirinë e vendit, dëshmorët e heronjtë e këtij vendi, dhe njëkohësisht i kujtojmë me dhimbje mbi 1.600 të pagjeturit tanë, bijtë e nënë Ferdonijes e të shumë nënave të tjera, i kemi në vëmendje vuajtjet e grave që i mbijetuan dhunës seksuale gjatë luftës, i kujtojmë martirët e shumtë, përfshirë gratë, fëmijët e pleqtë, si dhe të gjithë njerëzit e mirë të këtij vendi, të cilët sakrifikuan çdo gjë për lirinë e vendit të tyre; në këtë ditë të veçantë e nderojmë edhe gjeneratën e deputetëve të këtij kuvendi, të cilët më 1990 e shpallën Deklaratën e Pavarësisë si akt themeltar të shtetit të Kosovës dhe, më pas, Kushtetutën e parë të vendit, atë të Kaçanikut; si vullnet qytetar, i shprehur me Deklaratën e shpalljes së pavarësisë së vendit. I falenderojmë të gjitha ato gra dhe burra që e jetësuan këtë vullnet me Deklaratën e Pavarësisë të vitit 2008.

Të dashur qytetarë!

 Ne e njohim mirë peshën e lirisë, sepse e kemi përjetuar për shekuj të tërë mungesën e saj. Por, po kështu, ne mund të dëshmojmë se sa e madhe është vlera e saj dhe i rëndë çmimi që kemi paguar.  Pavarësia e Kosovës e ka vulosur fatin dhe lirinë e popujve në Ballkan. Ne, qytetarët e Republikës së Kosovës, e kuptojmë se çfarë do të thotë të rritesh nën një regjim shtypës, në të cilin rrënjët etnike janë argument i mjaftueshëm për të qenë i shtypur e i vrarë; ne e kemi përjetuar këtë dhe mund të dëshmojmë për të. Historinë e kemi në krah. Kosova ka numrin më të madh të fëmijëve të vrarë e të masakruar në raport me numrin e banorëve krahasuar me të gjitha luftërat në territorin e ish-Jugosllavisë.  Prandaj, dua që sot ta kthejmë vëmendjen veçanërisht kah këta 1133 fëmijë, shumë prej tyre foshnje vetëm disajavëshe ose disamuajshe, fëmijë të vegjël të cilët u vranë sepse ai regjim nuk e kursente askënd.

Në këtë Ditë të Lirisë, nga kryeqyteti i shtetit të Kosovës kemi vetëm një mesazh. Siç ishim dikur unik për lirinë si një akt sublim, sot duhet të jemi unik në idenë për paqe të qëndrueshme, duke mbrojtur sovranitetin e shtetit tonë në çdo pëllëmb të teritorit të tij. Ne jemi të gatshëm ta kultivojmë paqen e stabilitetin rajonal siç kemi bërë gjithnjë. Kjo ishte edhe porosia e presidentit Klinton në vitin e tij të parë në Ferizaj pas luftës kur tha: “Ne e fituam luftën, por tash është koha qe ju të ndërtoni paqen”.

Por, nuk do të mund të arrijmë në këtë pikë, nëse nuk i kujtojmë të gjithë ata që sakrifikuan për këtë ditë, posaçërisht këta 1133 fëmijë e vrarë e të zhdukur gjatë luftës. Ata do të jenë peng i yni edhe për aq kohë sa nuk do të mund të zbardhet fati i secilit fëmijë të zhdukur dhe derisa akterët e këtyre vrasjave e masakrave nuk do të përballen me drejtësinë.

Sot i kujtojmë të gjithë në zemrat e mendjet tona. Më lejoni të ndaj vetëm disa nga storjet e ëndrrat e tyre.

Kujtojmë Burimin i cili ishte vetëm 12 vjeç. Ai kishte pasion recitimin e leximin, aq sa në oborr ruante abetaren dhe fletoren, në rast se shtëpia i digjej apo në rast se do deboheshin.

Kujtojmë fëmijët e familjes Muqolli të Poklekut të Vjetër, të cilët me 17 prill 1999 u masakruan e u vranë e më pastaj u djegën kufomat e tyre dhe familjarëve të tyre.

Kujtojmë fëmijët e familjes Deliu nga Abria e Epërme të cilët një ditë pasi që u strehuan në mal të gjithë e gjetën vdekjen në mënyrën më mizore më 26 shtator 1998.

Kujtojmë Hajriun 12-vjeçar që donte të bëhej polic për t’i mbrojtur të tjerët dhe jo për t’i vrarë e dëbuar, vëllaun e tij Agonin e motrën e tyre Dardanen  që donin të bëheshin mjekë. Me 12 qërshor 1999 në Pejë, në mbrëmjë, gjersa ishin në gjumë, një breshëri plumbash automatikësh dhe granatash ua ndërpreu atyre ëndrrat e tyre përgjithmonë. 

Kujtojmë fëmijët e vrarë të familjes Berisha në Suharekë. Kujtojmë të gjitha ata fëmijë të rënë në çdo cep të Kosovës.  

Kujtojmë fëmijët e rënë të familjes legjendare Jashari.

Kujtojmë po ashtu Anitën, Lirijen, Çlirimtarin, Arianitin e të gjithë fëmijët që iu ndërpre jeta në një mujorin e parë.

Kujtojmë fëmijët e vrarë në bodrumin e shtëpisë së familjes Vejsa në Gjakovë.

Kujtojmë Dafinën , foshnjën 6 muajshe të cilën forcat serbe e ekzekutuan në kraharorin e nënës dhe ajo ishte e pagjetur deri para pak vitesh kur u rivarros nga prindërit dhe familja.  

Kujtojmë secilin fëmijë që u shndërrua në lule të lirisë.

Ta kujtojmë nënën shtatzënë Lirijen, e cila, e barti barrën e së ardhmes së Kosovës në trupin e saj dhe e skaliti të ardhmen e vendit me emrin e saj. Ajo nuk arriti t’i jepte jetë foshnjës së saj, sepse atë ua ndërpreu regjimi gjenocidal serb, por arriti t’i jepte jetë dhe kuptim shtetit të ardhshëm të fëmijëve të tjerë.

Sot shkëputa vetëm disa emra e disa rrëfime nga mijëra e mijëra familje që kanë dhënë më të shtrenjtit e tyre, por le të sigurohemi së bashku që emrat, rrëfimet  dhe ëndrrat edhe të fëmijëve të tjerë të vrarë të dëgjohen e të tregohen, sepse është më e pakta që ua kemi borxh atyre.

Për ta jetësuar këtë kujtim, i propozoj Kuvendit të Kosovës që, me mirëkuptimin e deputetëve të Republikës dhe në përputhje me procedurat e përbashkëta që i kemi, njërën nga ulëset në qendër të sallës ta mbajmë të rezervuar si dedikim fëmijëve të pafajshëm të këtij vendi, të cilëve lufta ua këputi jetën ende pa e nisur mirë. Ndonjëri prej tyre sot do të mund të ishte deputet, sepse ishte në moshën e shume prej neve. Do të mund të ishte përfaqësuese e popullit në Kuvend. Prandaj, le t’ua kushtojnë atyre një ulëse dhe t’i vendosim ata në qendër të kësaj salle, sepse ata janë epiqendra e sakrificës së popullit tonë dhe t’i mbajnë në qendër të vëmendjes sot e përherë. Kjo ulëse do të ishte thirrje e përhershme dhe reflektim për të gjithë ata që flasin nga kjo foltre, sot e kurdo, që ta kthejnë vëmendjen kah ta, ta mbajmë të freskët kujtimin për ta, e të punojmë sa duhet e si duhet për gjeneratat e ardhshme.

Sivjet ne e festuam ditëlindjen e 12-të të republikës. Por, ndërsa po i numërojmë përvjetorët e lindjes dhe të rritës së saj, ora e këtyre 1133 fëmijëve të vrarë është ndalur. Distanca mes moshës së tyre e moshës së republikës po rritet, siç po rritet edhe zbrazëtia që kanë lënë ata në familjet e tyre dhe në gjithë vendin. Fytyrat e tyre janë thirrje e përhershme për ne. Fytyrat e tyre janë thirrje e përhershme për drejtësi. Ata do të na rrijnë përballë e do të na flasin çdo ditë. Së bashku me plagën e mbetur hapur: të pagjeturit.  

Të nderuar deputetë!

Historia nuk do të na falë nëse ne nuk bëjmë përpjekje të hapim një faqe apo kapitull të ri, pa e lexuar e rilexuar me kujdes faqen e së djeshmes dhe të sotmes dhe prej saj të nxjerrim mesazhet dhe qëndrimet e duhura për të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë.

Zoti i bekoftë familjet tuaja!

Zoti i bekoftë miqtë e Kosovës!

Zoti e bekoftë Republikën tonë! /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Djegia e shtëpisë dyshohet të jetë shkaktari i vrasjes së djeshme në Pejë – viktima dhe i dyshuari ishin miq

Djegia e shtëpisë dyshohet të jetë shkaktari i vrasjes së djeshme në Pejë – viktima dhe i dyshuari ishin miq

Jehona Hulaj
KSHZ pas numërimit të 99.85% të votave, Osmani 13.36%, Taravari 9.21%

KSHZ pas numërimit të 99.85% të votave, Osmani 13.36%, Taravari 9.21%

Politikë
U arrestua për sulm fizik ndaj një vozitëse dhe kanosje ndaj vozitësit tjetër, Policia jep detaje të rastit në Prishtinë

U arrestua për sulm fizik ndaj një vozitëse dhe kanosje ndaj vozitësit tjetër, Policia jep detaje të rastit në Prishtinë

Kronika e Zezë
Fitim Doda ndalohet për vrasjen në tentativë në rrugën 'Haxhi Zeka', prokuroria kërkon paraburgim

Fitim Doda ndalohet për vrasjen në tentativë në rrugën 'Haxhi Zeka', prokuroria kërkon paraburgim

Drejtësi
KSHZ publikon rezultatet e para përfundimtare, këto janë rezultatet

KSHZ publikon rezultatet e para përfundimtare, këto janë rezultatet

Politikë
Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Lajme
Kalo në kategori