Osmani dhe Wikoff diskutojnë bashkëpunimin për sigurinë dhe stabilitetin rajonal

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim Komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, Admiralin George M. Wikoff, me rastin e marrjes së detyrës së tij në krye të një prej komandave më strategjike të Aleancës Veriatlantike.
Osmani e uroi Admiralin Wikoff për detyrën e re dhe i dëshiroi suksese në udhëheqjen e komandës, duke shprehur besimin e saj të plotë në lidershipin e tij dhe në rolin kyç që kjo komandë luan për sigurinë euroatlantike, stabilitetin rajonal dhe paqen ndërkombëtare.
Gjatë takimit, Osmani ritheksoi mirënjohjen e Kosovës ndaj NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara për kontributin e vazhdueshëm në garantimin e paqes dhe stabilitetit në vend që nga viti 1999.
Ajo shprehu vlerësim të veçantë për misionin e KFOR-it, duke e cilësuar atë si forcë të besueshme parandaluese dhe garantuese të sigurisë për të gjithë qytetarët, pa dallime.
Presidentja gjithashtu konfirmoi përkushtimin e Kosovës për vazhdimin e bashkëpunimit me KFOR-in dhe theksoi se vendi mbetet partner i besueshëm, i aftë dhe kontribuues për sigurinë dhe stabilitetin rajonal, i përkushtuar ndaj vlerave të paqes, demokracisë dhe sundimit të ligjit.




















































