Organizata që ndriçon shpresën e rinisë gjilanase - “Fuqia e Bashkimit Rinor” si model për pjesëmarrje, barazi dhe vizion

Në mjedise shpesh të sfiduara nga mungesa e mundësive, organizatat e të rinjve ofrojnë alternativa të vlefshme për angazhim dhe zhvillim.
Faktor i rëndësishëm në zhvillimin e politikave rinore, si dhe fuqizimin e pjesëmarrjes së të rinjve, është Organizata “Fuqia e Bashkimit Rinor”, e cila është themeluar më 26 dhjetor 2019, në qytetin e Gjilanit.
Në një intervistë për Telegrafin, kryetari i organizatës, Dardan Marovca, tha se themelimi i saj ka qenë një iniciativë e sinqertë dhe me qëllim të qartë për të krijuar hapësirë gjithëpërfshirëse për të rinjtë e moshës 14 deri në 29 vjeç.
“Kjo organizatë lindi nga bindja se të rinjtë nuk janë vetëm e ardhmja, por edhe pjesë e pazëvendësueshme e së tashmes. Angazhimi i tyre i organizuar është thelbësor për ndërtimin e një shoqërie demokratike, të barabartë dhe të qëndrueshme”, u shpreh Marovca.
Marovca thekson se themelimi i kësaj organizate erdhi si rezultat i një reflektimi të thellë mbi nevojat e rinisë në rajonin e Gjilanit. Sipas tij, njëri nga faktorët e themelimit ishte edhe mungesa e hapësirave ku të rinjtë të shprehen lirshëm, të zhvillohen personalisht dhe të ndikojnë në vendimmarrje.
Ai shton se që nga dita e themelimit, organizata është bërë një pikë referimi për qindra të rinj që kërkojnë frymëzim, bashkëpunim dhe mundësi reale për t’u përfshirë në jetën publike.
Aktualisht, organizata numëron 47 anëtarë aktivë që kontribuojnë me përkushtim dhe vullnetarizëm në realizimin e qëllimeve dhe aktiviteteve të saj.
Sipas kryetarit, përtej këtij grupi të strukturuar, organizata ka arritur të angazhojë mbi 2500 të rinj në më shumë se 200 aktivitete të ndryshme gjatë viteve të fundit.
“Përmes aktiviteteve tona, kemi përfshirë mbi 2500 të rinj që janë bërë pjesë e organizimeve që jo vetëm kanë pasuruar jetën komunitare, por edhe kanë ndikuar pozitivisht në zhvillimin personal të secilit,” tha Marovca.
Ai thekson se kjo përfshirje në rritje dëshmon besimin që të rinjtë kanë ndërtuar ndaj organizatës dhe rolin konkret që ajo ka në fuqizimin e tyre.
“Çdo i ri që bëhet pjesë e aktiviteteve tona i bashkohet një rrjeti më të gjerë që synon ndryshim pozitiv dhe pjesëmarrje aktive në jetën shoqërore,” shtoi ai.
Marovca thekson se organizata përfshin një gamë të larmishme të të rinjve, nga nxënës të shkollave të mesme dhe studentë në disiplina të ndryshme universitare, deri te të rinjtë e angazhuar si aktivistë në komunitet.
“Ky lloj profili i larmishëm është një pasuri për organizatën tonë, pasi na lejon të ndërtojmë një platformë të fuqishme dhe gjithëpërfshirëse, ku përvoja, energjia dhe talenti i secilit kontribuon në arritjen e objektivave të përbashkëta”, thekson ai.
Ai thekson faktin se shumë nga anëtarët e organizatës janë të angazhuar edhe në fusha të tjera të shoqërisë, si pjesë e organizatave të tjera ndërkombëtare, grupeve kulturore, ose nismave vullnetare. Si rrjedhojë, sipas Marovcës, kjo e bën “Fuqinë e Bashkimit Rinor” një qendër bashkimi dhe bashkëpunimi mes individëve të frymëzuar dhe të motivuar për të sjellë ndryshim.
Ndër të tjera, Marovca tregon se përfshirja e të rinjve me aftësi të kufizuara dhe atyre që vijnë nga komunitete të margjinalizuara është një ndër shtyllat bazë të filozofisë së organizatës. Në këtë pikë, ai potencon se kanë bashkëpunim edhe me organizata dhe institucione që merren me të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.
Pjesë e organizatës, Marovca thotë se janë edhe anëtarët e komunitetit jo-shumicë, apo të pakicave vendore. Ai shton se së bashku me ta kanë realizuar aktivitete të dedikuara për ngritjen e vetëdijes për përfshirjen sociale.
“Ne besojmë thellësisht në parimin e barazisë dhe gjithëpërfshirjes, dhe çdo aktivitet që organizojmë është i menduar që të jetë sa më i hapur dhe i aksesueshëm për të gjithë të rinjtë, pa dallim prejardhjeje, gjendjeje fizike, ekonomike apo kulturore”, shtoi Marovca.
Misioni kryesor i kësaj organizate, sipas Marovcës, është të rrisë vetëdijen dhe të fuqizojë të rinjtë përmes një game të gjerë aktivitetesh edukative, kulturore, sportive dhe qytetare.
Siç thekson ai, qëllimi është që të krijohet një platformë e hapur dhe gjithëpërfshirëse ku të rinjtë jo vetëm që dëgjohen, por edhe marrin rolin e udhëheqësve të proceseve transformuese në komunitetin e tyre.
“Vizioni ynë afatgjatë është të ndërtojmë një shoqëri ku çdo i ri ndjehet i fuqizuar, i përfshirë dhe i përgatitur për të marrë rolin që i takon në zhvillimin demokratik, ekonomik dhe kulturor të vendit”, tha Marovca.
Ai shton se aspirata e organizatës është që të kthehet në një model frymëzimi dhe mobilizimi për të gjithë të rinjtë, jo vetëm në Gjilan, por edhe në nivel kombëtar.
Kryetari Marovca përmend edhe bashkëpunimin me institucionet lokale si komponent kyç në zhvillimin dhe fuqizimin e veprimtarisë së organizatës.
“Që nga themelimi, jemi munduar që të ndërtojmë marrëdhënie të hapura dhe konstruktive me Komunën e Gjilanit, respektivisht me Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, si dhe me institucione arsimore, qendra rinore dhe struktura të tjera komunitare”, tha ai.
Sipas tij, këto institucione ofrojnë gatishmëri për të bashkëpunuar, për të ofruar mbështetje logjistike dhe për të hapur dyer për iniciativat që i sjellin në emër të të rinjve.
Megjithatë, Marovca shton se vazhdojnë të advokojnë për një nivel edhe më të lartë të bashkëpunimit institucional, që përfshin jo vetëm pjesëmarrje në aktivitete, por edhe përfshirje më të drejtpërdrejtë në planifikimin dhe hartimin e politikave rinore.
Ashtu si çdo organizatë rinore, edhe “Fuqia e Bashkimit Rinor” përballet me një sërë sfidash që, sipas Marovcës, ndikojnë drejtpërdrejt në kapacitetin për të realizuar vizionin e saj në një shkallë edhe më të gjerë.
Ndër sfidat më të theksuara, organizata e identifikon mungesën e fondeve të qëndrueshme, faktor që, sipas Marovcës, vështirëson zhvillimin afatgjatë të projekteve, si dhe angazhimin e burimeve të nevojshme njerëzore e logjistike.
“Financimi i organizatës “Fuqia e Bashkimit Rinor” është kryesisht i bazuar në vetëfinancimin nga gjithë struktura e organizatës, e gjithashtu edhe në projekte dhe aplikime për fonde nga donatorë të ndryshëm vendorë”, tha ai, duke theksuar faktin se janë në kërkim të partnerëve strategjikë që ndajnë vizionin e organizatës dhe që janë të gatshëm të investojnë në fuqizimin afatgjatë të rinisë.
Përveç kësaj, sfidë mbetet edhe mungesa e hapësirave publike të dedikuara për të rinjtë, ku ata mund të organizojnë aktivitete, të takohen dhe të zhvillojnë ide të reja.
Një tjetër aspekt që e sfidon punën e organizatës, Marovca thotë se është mungesa e vetëdijes dhe motivimit te një pjesë e të rinjve për t’u përfshirë në aktivitete qytetare.
“Mungesa e vetëdijes dhe motivimit për t’u përfshirë në aktivitete, është njëra nga arsyet përpjekja e organizatës të fokusohet në ndërgjegjësimin dhe edukimin joformal, për të nxitur ndjenjën e përgjegjësisë dhe përkatësisë sociale”, shtoi ai.
Marovca përfundon duke vënë në pah synimin për zgjerimin e përpjekjeve, për të siguruar që çdo i ri, pavarësisht rrethanave të tij, të ndjejë se ka vend në organizatë dhe në shoqëri. /Telegrafi/

















































