Ora e parë e mësimit të hënën i kushtohet historisë dhe rolit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka bërë të ditur se të hënën, më 16 shkurt ora e parë mësimore në shkollat e kryeqytetit do jetë në nderim të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Rama në një postim në Facebook shkruan se kanë obligim institucional dhe moral të kultivojnë te brezat e rinj respekt për historinë, sakrificën dhe idealet e vendit tonë.
“Në Kryeqytet, ora e parë mësimore në nderim të UÇK-së! Reflektim mbi historinë dhe përgjegjësinë tonë shtetërore!
Në prag të 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, në të gjitha shkollat publike të Kryeqytetit, ora e parë mësimore e datës 16 shkurt do t’i kushtohet historikut, rolit dhe sakrificës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Si Kryeqytet, kemi obligim institucional dhe moral të kultivojmë te brezat e rinj respekt për historinë, sakrificën dhe idealet tona.
Kujtesa historike është themel i identitetit dhe respektit për shtetësinë!”, shkruan Rama. /Telegrafi/




















































