LAJMI I FUNDIT:

Ora e Apokalipsit në 89 sekonda!

Ora e Apokalipsit në 89 sekonda!
Ilustrim

Demush Shasha

Në vitin 2025, Ora e Apokalipsit theu rekordet e mëparshme dhe u vendos 89 sekonda deri në mesnatë. Kurrë më parë ora nuk është vendosur kaq afër apokalipsit. Thënë ndryshe, mendjet më të ndritura të botës mendojnë se njerëzimi është tani në momentin më të rrezikshëm historik që nga Lufta e Dytë Botërore.

Nëse pyetni ChatGPT-në “Kush është regjisori më i mirë i shekullit XXI?”, përgjigjja e parë që do të pranoni është Christopher Nolan. Me filmat sikur Batman, Inception, Interstellar dhe Dunkirk, Nolan ia ka siguruar vetes vendin në piedestalin e kinematografisë moderne. Por, përkundër të gjitha arritjeve të tij, Nolani nuk ka arritur të sigurojë një gjë: Çmimin “Oskar”. Këtë ia siguroi, më në fund, vitin e kaluar filmi Oppenheimer. Filmi Oppenheimer e rrëfen gjithë historinë e Projektit Manhatan, duke vendosur në epiqendër të tij jetën e personit, i cili shpiku bombën bërthamore, z. Robert Oppenheimerin. Dhe, përderisa filmi Oppenheimer tanimë ka popullarizuar rolin e Robertit si krijues i bombës bërthamore, në diskursin publik është shumë më pak i njohur roli i tij si themeluesi i Buletinit të Shkencëtarëve Bërthamorë dhe Orës së Apokalipsit. Pas largimit nga projekti Manhatan, Oppenheimeri, Einsteini dhe shkencëtarë të tjerë nga Projekti Manhatan janë bashkuar në krijimin e një mjeti i cili do ta edukojë publikun për rrezikun e vetëshkatërrimit nga bomba bërthamore, por edhe rreziqet e tjera të krijuara nga vetë njeriu. Kësisoj, ata e themeluan Buletinin e Shkencëtarëve Bërthamorë dhe e lansuan Orën e Apokalipsit. Për gati një shekull, Buletini njihet si forum i mendjeve më të ndritura të njerëzimit, të cilët mblidhen një herë në vit për të vlerësuar trendët kryesorë globalë dhe për të paralajmëruar njerëzimin për rrezikun e vetëshkatërrimit. Produkti kryesor i punës së tyre është Ora e Apokalipsit.


Ora e Apokalipsit vendoset disa minuta më afër apo më larg mesnate, si simbol i mbarimit të kohës dhe fundit të njerëzimit. Sa më afër që ora t’i vendoset mesnatës, aq më afër apokalipsit jemi. Hera e parë kur ora i është vendosur më së afërmi mesnatës (dy minuta para mesnate) ka qenë në vitin 1953, kur ShBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik i testuan bombat respektive termobërthamore – bombat më të fuqishme që njerëzimi i kishte zbuluar deri më sot. Më pastaj, ora është kthyer mbrapa duke vlerësuar se njerëzimi është në rrugë të mbarë të paqes dhe prosperitetit. Dhe, kjo zgjati për 65 vjet, deri në vitin 2018.

Nga viti 2018 e deri më sot, ora ka filluar përsëri t’i afrohet mesnatës. Në vitet 2020, 2021 dhe 2022, Buletini i Shkencëtarëve Bërthamorë ka vlerësuar se njerëzimi i është afruar jashtëzakonisht shumë shkatërrimit të vetvetes dhe rrjedhimisht ka filluar ta numërojë kohën e mbetur deri në mesnatë – në sekonda. Kësisoj, tri vjet me radhë ora u vendos në 100 sekonda deri në mesnatë. Në vitet 2023 dhe 2024, me luftën në Ukrainë, ora theu rekordet dhe u vendos në 90 sekonda deri në mesnatë. Tani në vitin 2025 ajo përsëri theu rekordet e mëparshme dhe u vendos 89 sekonda deri në mesnatë. Kurrë më parë ora nuk është vendosur kaq afër apokalipsit. Thënë ndryshe, mendjet më të ndritura të botës mendojnë se njerëzimi është tani në momentin më të rrezikshëm historik që nga Lufta e Dytë Botërore.

Janë katër arsye, të cilat kanë shtyrë Orën e Apokalipsit 89 sekonda deri në mesnatë: (1) rreziku bërthamor, (2) ndryshimet klimatike, (3) kërcënimet biologjike dhe (4) militarizimi i inteligjencës artificiale. Është e pamundur t’i mbulojmë të gjitha katër fushat, por arsyetimi i rrezikut bërthamor nga ana e Orës së Apokalipsit e jep një pasqyrë të bukur të kërcënimit real, me të cilin bota ballafaqohet sot. Asnjëherë më parë akterë me kapacitet bërthamor nuk kanë treguar sjellje kaq agresive luftarake.

Në sfondin e luftës së vazhdueshme të Rusisë kundër Ukrainës, Rusia është tërhequr nga Traktati i Ri i Zvogëlimit të Armëve Strategjike (New START) dhe Traktati Gjithëpërfshirës i Ndalimit të Testeve Bërthamore. Kësisoj, është rrënuar arkitektura ndërkombëtare e sigurisë bërthamore. Në terren, nga ana tjetër, Rusia ka vendosur armët bërthamore ruse në Bjellorusi. Pasi Ukraina hyri në territorin rus në Kursk dhe pasi i përdori raketat me rreze të gjata, të furnizuara nga Perëndimi, Rusia për herë të parë e përdori raketën hipersonike “Oreshnik” dhe e rishikoi doktrinën e saj bërthamore. Arsenali bërthamor i Kinës ka arritur kapacitetin prej afro 600 koka raketore, ndërsa në shtator 2024, Kina e testoi një raketë balistike ndërkontinentale (DF31AG) që synonte një cak në Paqësorin Jugor 11,700 kilometra larg. Kjo ishte hera e parë që Kina e përdori Paqësorin për një provë raketore që nga viti 1980. Në Lindjen e Mesme, Irani vazhdon t’i rrisë rezervat e uraniumit të pasuruar. Ish-sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha në korrik të 2024-s se Irani është një ose dy javë larg prodhimit të uraniumit të pasuruar mjaftueshëm për një armë bërthamore. Tensionet e vazhdueshme në mes të Izraelit dhe Iranit e ngrenë rrezikun e përshkallëzimit, i cili mund të shkaktojë shpërthim bërthamor.

Ndonëse Koreja e Veriut tanimë posedon afro 50 armë bërthamore, Kim Jong-uni së fundmi deklaroi se qëllimi i tij është që të “zgjerojë në mënyrë eksponenciale” arsenalin bërthamor të Koresë së Veriut në vitet e ardhshme. Në tetor 2023, reaktori eksperimental i ujit të lehtë të Koresë së Veriut filloi funksionimin. Reaktori do t’i sigurojë Koresë së Veriut një burim të fuqishëm të tritiumit për të mirëmbajtur një arsenal bërthamor prej 100-150 armësh termobërthamore. Po ashtu, Koreja e Veriut e hapi fabrikën e dytë të pasurimit të uraniumit më 2024. Paralelisht me gjithë këtë, Koreja e Veriut e përfshiu veten në mënyrë direkte në luftën në Ukrainë, me dërgimin e ushtarëve të saj në front. Të gjitha këto zhvillime kanë krijuar një koktej të rrezikshëm bërthamor, i cili në çdo moment mund të krijojë rrethana të qëllimshme apo të paqëllimshme, të cilat do të fusnin kundërshtarët bërthamorë në një cikël përshkallëzimi të pakontrollueshëm. Dhe, tani, me një president jokonvencional në Shtëpinë e Bardhë, bota ka humbur edhe shtyllën e fundit të parashikueshmërisë që ka pasur. Tani jemi në territore të reja për njerëzimin.

Në trend

Më shumë
“Bon Vivant 2”, Andi Pajaziti lirohet nga akuza për vrasje, dënohet me dy vjet burgim për armëmbajtje pa leje

“Bon Vivant 2”, Andi Pajaziti lirohet nga akuza për vrasje, dënohet me dy vjet burgim për armëmbajtje pa leje

Lajme
Vrasja e Liridona Ademaj, sillet në gjykatë Naim Murseli dhe të tjerët

Vrasja e Liridona Ademaj, sillet në gjykatë Naim Murseli dhe të tjerët

Lajme
Qeveria merr vendim, pronat e Agjencisë së Pyjeve të Kosovës i jepen në shfrytëzim Ministrisë së Mbrojtjes

Qeveria merr vendim, pronat e Agjencisë së Pyjeve të Kosovës i jepen në shfrytëzim Ministrisë së Mbrojtjes

Lajme
Guardiola emëron klubin i cili mund ta ndalojë Man Cityn të fitojë Ligën e Kampionëve

Guardiola emëron klubin i cili mund ta ndalojë Man Cityn të fitojë Ligën e Kampionëve

Liga e Kampionëve
Gjesti rrezikon eliminimin nga Big Brother, pasi nuk dëshiron ta kryejë dënimin e Vëllait të Madh

Gjesti rrezikon eliminimin nga Big Brother, pasi nuk dëshiron ta kryejë dënimin e Vëllait të Madh

Magazina
Vrasja e Liridona Ademajt, në seancë publikohen për herë të parë disa pamje

Vrasja e Liridona Ademajt, në seancë publikohen për herë të parë disa pamje

Lajme
Kalo në kategori