Partia kryesore e opozitës në Tajvan ka zgjedhur një udhëheqëse të re reformiste, që është kritike ndaj shpenzimeve të larta në mbrojtje, por parashikon paqe me Kinën fqinje, pretendimet e së cilës për sovranitetin mbi ishullin kanë prishur prej kohësh marrëdhëniet.

Anëtarët e partisë opozitare Kuomintang (KMT), e cila tradicionalisht ka pasur lidhje të ngrohta me Pekinin, votuan të shtunën për të zgjedhur ish-ligjvënësen Cheng Li-wun si kryetare.


Sipas medive të huaja, përcjell Telegrafi, 55-vjeçarja Cheng, që mundi ish-kryebashkiakun e Tajpeit Hau Lung-bin dhe katër të tjerë, do të marrë përsipër udhëheqjen e partisë më 1 nëntor.

Zgjedhja e Cheng, e cila paralajmëron kundër lejimit që Tajvani të "bëhet sakrificë e gjeopolitikës", ka implikime të thella për politikën e brendshme në një kohë tensionesh të larta ushtarake dhe politike me Kinën.

Ndërsa KMT nuk e kontrollon presidencën, partia dhe aleati i saj - Partia e vogël Popullore e Tajvanit - së bashku mbajnë vende të mjaftueshme për të formuar një bllok shumicë në legjislaturë, duke krijuar një dhimbje koke për Partinë Demokratike Progresive (DPP) në pushtet, e cila përpiqet të miratojë buxhetin dhe legjislacionin e saj.

Duke folur në selinë e partisë në Taipei, Cheng tha se KMT nën udhëheqjen e saj do të jetë një "krijuese e paqes rajonale".

"KMT do ta bëjë shtëpinë tonë strehën më të fortë për të gjithë kundër stuhive të jetës. Sepse ne do të mbrojmë paqen në të gjithë Ngushticën e Tajvanit", tha ajo. "Nuk duhet ta lejojmë Tajvanin të bëhet një shkaktar problemesh".

Cheng, e cila filloi në politikë në DPP, tha gjatë fushatës se nuk mbështeste rritjen e buxhetit të mbrojtjes, një politikë kyçe e administratës së presidentit William Lai Ching-te që gjithashtu ka mbështetje të fortë nga Shtetet e Bashkuara.

Cheng mundi kandidatin e establishmentit Hau, 73 vjeç, me më shumë se 50 përqind të votave, megjithëse pjesëmarrja ishte më pak se 40 përqind e anëtarëve të partisë. /Telegrafi/