Operacion i natës, Forcat Speciale të SHBA-së kryejnë stërvitje në bazën ushtarake në Zall Herr të Tiranës

Ambasada amerikane në Tiranë ka postuar disa fotografi nga një stërvitje e Forcave të Operacioneve Speciale të SHBA-së për Evropën.
Në njoftim bëhet e ditur se Forcat e Operacioneve Speciale kanë arritur me dy aeroplanë CV-22 Osprey, në një operacion me dukshmëri të ulët gjatë natës.
Postimi i plotë i ambasadës:
Nën errësirë dhe në koordinim me Aleatët tanë shqiptarë, Forcat e Operacioneve Speciale të caktuara në Komandën e Operacioneve Speciale të SHBA për Evropën (SOCEUR) zhvilluan një stërvitje gatishmërie për vendosje emergjente në bazën ushtarake në Zall Herr javën e kaluar.
Forcat e Operacioneve Speciale mbërritën me dy aeroplanë CV-22 Osprey, në një operacion me dukshmëri të ulët gjatë natës.
Ushtrimi testoi aftësinë e njësisë për t'u vendosur me shpejtësi, duke siguruar që ata të jenë gati të përgjigjen shpejt dhe në mënyrë efektive ndaj krizave ose operacioneve të mundshme në rajon.
Ushtrimi gjithashtu forcoi ndërveprueshmërinë dhe përforcoi angazhimin tonë të përbashkët ndaj sigurisë dhe bashkëpunimit. /Telegrafi/























































