Operacion anti-drogë në Berat, arrestohet 27-vjeçari – kapet me një kilogramë e gjysmë kokainë dhe shtatë kg kanabis

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se ka arrestuar një 27-vjeçar në Berat, pasi i njëjti është kapur me drogë.
Në njoftim thuhet se operacioni u zhvillua nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Forca e Posaçme Operacionale në DVP Berat, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë së Beratit.
“Pas një hetimi të ndjekur me metoda speciale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe shërbimet e DVP Vlorë, finalizuan operacionin ‘Alfa’, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi A. Sh., 27 vjeç, banues në Vlorë. Sekuestrohen 1 kilogramë e 530 gramë kokainë, 7.5 kilogramë cannabis, peshore elektronike, municion luftarak, elektroshok dhe aparat celular”, thuhet në njoftim.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan lëndë narkotike kokainë, cannabis dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Policia thekson se po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/


















































