Këngëtarja dhe aktorja, Olivia Rodrigo, ka përdorur platformën e saj në Instagram për të shprehur solidaritetin dhe mbështetjen ndaj popullit të Palestinës, duke nxitur ndjekësit të dhurojnë për UNICEF, organizatë që ndihmon fëmijët dhe familjet e prekura nga konflikti mes Izraelit dhe HAMAS-it.

Në një mesazh të ndjerë, Rodrigo shprehu dhimbjen e madhe për vuajtjet e pafajshme të njerëzve në Gaza, duke përmendur mungesën e ushqimit, ujit dhe aksesit ndaj kujdesit mjekësor bazë.


“Nuk ka fëmijë në Izrael, Palestinë apo kudo tjetër në botë që meritojnë të vuajnë ashtu siç po i shohim këta fëmijë”, shkroi ajo.

Foto: Screenshot/Instagram

Rodrigo bëri thirrje për ruajtjen e humanizmit dhe përpjekje për t’i ndihmuar ata që janë prekur.

Ky qëndrim i Olivias përbën vetëm një pjesë të angazhimeve të saj sociale dhe politike.

Që nga fillimi i karrierës, ajo ka qenë e hapur dhe aktive në çështjet që lidhen me të drejtat e grave, veçanërisht ato riprodhuese. Gjatë një performance në Festivalin Glastonbury, ajo kritikoi ashpër pesë anëtarët e Gjykatës Supreme amerikane, duke i akuzuar për mos-mbrojtjen e lirive individuale dhe duke i shprehur hapur pakënaqësinë e saj.

Në vitin 2023, Olivia themeloi organizatën jo-fitimprurëse ‘Fund 4 Good’, e cila fokusohet në ngritjen e vetëdijes dhe mbështetjen e grupeve që punojnë për çështjet e grave, duke dhënë mbështetje financiare për fonde që ofrojnë kujdes shëndetësor riprodhues, përfshirë ndihmën për abortin.

Olivia Rodrigo

Në përgjithësi, Olivia po përdor famën dhe ndikimin e saj për të dhënë zë çështjeve sociale dhe humanitare, duke treguar se përtej muzikës, ajo është një zë i fuqishëm për ndryshim dhe drejtësi. /Telegrafi/