Kampioni i botës në peshat e rënda, Oleksandr Usyk, e ka ftuar Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, të jetojë në shtëpinë e tij për një javë.

Boksieri 38-vjeçar është padyshim boksieri më i mirë në planet aktualisht, për nga pesha, por arritjet e tij personale në ring, pa dyshim, janë në hije nga fakti se atdheu i tij, Ukraina, është në luftë me Rusinë pas pushtimit të plotë në vitin 2022.


Trump më parë pretendoi se mund t’i jepte fund luftës nëse zgjidhej president, por nuk ka qenë në gjendje ta përmbushë premtimin e tij dhe madje fajësoi udhëheqësin ukrainas Volodymyr Zelensky për fillimin e luftës.

"Nuk fillon një luftë kundër dikujt 20 herë më të madh se ti dhe pastaj shpreson që njerëzit të të japin disa raketa", kishte thënë Trump në Shtëpinë e Bardhë në prill.

“Miliona njerëz të vdekur për shkak të tre personave. Le të themi Putini numri një, le të themi Biden, i cili nuk kishte idenë se çfarë dreqin po bënte, numri dy, dhe Zelensky".

Duke folur për BBC Sport rreth vështirësive me të cilat përballen bashkëkombësve të tij ukrainas në mes të luftës, Usyk tha: “Unë e këshilloj presidentin amerikan Donald Trump të vijë në Ukrainë dhe të jetojë në shtëpinë time për një javë”.

"Vetëm një javë. Do t'i jap shtëpinë time. Jeto në Ukrainë, të lutem dhe shiko çfarë po ndodh çdo natë. Çdo natë, ka bomba dhe fluturime mbi shtëpinë time. Bomba, raketa. Çdo natë. Mjaft".

Kur u pyet nëse Trump do të ndryshonte mendimin e tij për konfliktin nëse do ta pranonte ofertën e tij, boksieri u përgjigj: “Nuk e di. Ndoshta do ta kuptojë, ndoshta jo”.

"Populli ukrainas po vdes. Nuk janë vetëm ushtarë, por edhe fëmijë, gra, gjyshe, gjyshër. Për mua, është e vështirë. Është vendi im. Shqetësohem për atë që ndodh në vendin tim", shtoi Usyk.

Usyk do të rikthehet në ring më 19 korrik kur të mbrojë titujt e tij WBA (super), WBO dhe WBC në një ndeshje hakmarrjeje kundër britanikut Daniel Dubois, të cilin e kishte mposhtur më parë me ndërprerje në gusht 2023. /Telegrafi/

telegrafi sport app