LAJMI I FUNDIT:

OKB : Gjysmë milion banorë në Mosul nën kërcënimin e mungesës së ujit të pijshëm

OKB : Gjysmë milion banorë në Mosul nën kërcënimin e mungesës së ujit të pijshëm

Gati një gjysmë milionë banorë të qytetit irakian të Mosulit po përballen me mungesën e ujit të pijshëm, me pasoja katastrofike, u shpreh sot koordinatorja e shpërndarjes së ndihmave humanitare të OKB-së në Irak, Lise Grande.

“Gati një gjysmë millionë civilë kanë vështirësi çdo ditë e më tepër në ushqyerje, tashmë të privuar edhe nga uji i pijshëm“, paralajmëroi ajo në një deklaratë të transmetuar në media.


Mungesa e ujit do të ketë pasoja katastrofike për fëmijët, gratë dhe familjet e mbetura në qytet, të rrethuar nga luftimet mes forcave irakiane dhe xhihadistëve të grupit të Shtetit Islamik (ISIS), theksoi Grande.

Sistemi i shpërndarjes së ujit në qytet është dëmtuar nga luftimet e kryesuara prej gjashtë javësh nga ushtria, mbështetur nga koalicioni ndërkombëtar për largimin e xhihadistëve nga bastioni i tyre i fundit në Irak.

Në zonën lindore të Mosulit, ku njësitë e forcave speciale irakiane po rimarrin gradualisht kontrollin, banorët shprehen se nuk kanë ujë të rrjedhshëm prej ditësh.