Organizata joqeveritare “Avonet” i është drejtuar sërish MAPL-së lidhur me vendimet dhe mbledhjet e Kuvendit Komunal në Shtime të cilat sipas kësaj OJQ-je, po mbahen në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Sipas kësaj organizate mbledhja e fundit e jashtëzakonshme e datës 02 maj, ka vazhduar me shkelje.


Në shkresën e kësaj OJQ-je dërguar MAPL-së, si organ për ligjshmërinë e vendimeve komunale, midis të tjerash thuhet se si pikë e parë e rendit të ditës, ishte miratuar ekstrakt-procesverbali i mbledhjes së datës 03.04.2025. Ndërkaq, Avonet sqaron se bazuar në shkresën zyrtare të (MAPL-së nr. 020-225-4-2025), të lëshuar më 15.04.2025, është konstatuar qartë se mbledhja e datës 03.04.2025 është mbajtur në kundërshtim me nenin 43.3 të Ligjit Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale dhe si rrjedhojë aktet e miratuara në atë mbledhje nuk prodhojnë efekt juridik.

“Në këtë kontekst, miratimi i ekstrakt-procesverbalit të një mbledhjeje që vetë MAPL e ka cilësuar të pavlefshme, përbën një akt administrativ të paligjshëm, në kuptim të nenit 52 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, ku thuhet: “Një akt administrativ është i paligjshëm nëse është rezultat i shkeljes së dispozitave lidhur me procedurën administrative” (neni 52.1.3). Norma e nenit 52 paragrafi 1 nënparagrafi 3 i Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative parasheh qartë se një akt administrativ konsiderohet i paligjshëm nëse është rezultat i shkeljes së dispozitave procedurale. Nga pikëpamja juridike, kjo normë ngërthen një parim themelor të së drejtës publike, që është ligjshmëria e formës dhe përmbajtjes së vendimmarrjes administrative”, thuhet në shkresën e OJQ “Avonet”.

Në shkresë më tej thuhet se nuk është e mjaftueshme që një akt të jetë materialisht i drejtë, nëse ai është marrë nëpërmjet një procedure që nuk respekton kriteret e përcaktuara me ligj, pra mungesa e procedurës së rregullt e bën aktin Faqe 1 nga 4 juridikisht të pavlefshëm.

Ky nen shprehet në mënyrë imperative dhe nuk lë hapësirë për interpretim të gjerë, se çdo shkelje e procedurës qofshin afatet, njoftimet, pjesëmarrja apo transparenca, e kontaminon vetë aktin.

“Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur kemi të bëjmë me procesverbalet e një mbledhje që, për nga natyra, përfaqësojnë aktin dokumentues të një procesi kolegjial dhe institucional. Në rastin konkret, procesverbali i datës 03.04.2025 është derivat i një mbledhjeje të shpallur të kundërligjshme nga vetë autoriteti mbikëqyrës, çka do të thotë se miratimi i tij përmes një mbledhjeje të radhës është një akt që përmbush të gjitha elementet e një akti të paligjshëm sipas normës së nenit 52 paragrafi 1 nënparagrafi 3 të LPPA. Nga një perspektivë kushtetuese, duhet theksuar se ligjshmëria procedurale nuk është formale por substanciale. Shkelja e saj bie ndesh me parimin e sigurisë juridike dhe të mbrojtjes së të drejtave të palëve në procedurë”, thuhet më tej në shkresë.

Sipas shkresës së Avonet-it, çdo vendim që buron nga një proces i tillë i deformuar duhet të cilësohet nule / absolutisht i pavlefshëm. Kjo mbrojtje ndaj procesit është thelbësore për të ruajtur integritetin e vendimmarrjes publike dhe për të siguruar që pushteti ushtrohet në përputhje me ligjin, jo sipas vullnetit të momentit apo interesave të njëanshme.

Avonet ka sqaruar se procesverbali i një mbledhje të Kuvendit Komunal është një dokument zyrtar, i cili nuk ka karakter normativ apo konstitutiv, por vetëm dëshmues.

“Përkundër rëndësisë së tij si dokumentacion zyrtar, procesverbali nuk ka fuqi krijuese juridike dhe nuk mund të jetë burim i vlefshmërisë për veprime apo akte që janë tashmë të shpallura të pavlefshme. Ai është, në thelb, një pasqyrim i një akti juridik tjetër (vendimeve të mbledhjes) dhe si i tillë, i nënshtrohet vlefshmërisë së atij akti që e ka krijuar. Nga pikëpamja e së drejtës administrative, një procesverbal mund të ekzistojë fizikisht si dokument, por ai nuk ka qëndrueshmëri ligjore nëse ai përmban të dhëna nga një mbledhje që është shpallur e kundërligjshme”, thuhet midis të tjerash në shkresë.

Më tej në shkresë thuhet se mbledhja e datës 03.04.2025 është shpallur nga MAPL si e paefektshme juridikisht, për shkak të mosrespektimit të afatit ligjor për njoftim sipas nenit 43 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale. Si rrjedhojë, çdo përpjekje për të miratuar procesverbalin e saj bie drejtpërdrejt në kundërshtim me konstatimin e organit mbikëqyrës.

Lorik Krasniqi nga organizata “Avonet”, ka thënë për Telegrafin se tashmë kanë parashtruar një kërkesë në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), lidhur me shqetësimet e tyre rreth miratimit të procesverbalit të mbledhjes së datës 03.04.2025, i cili u përfshi si pikë e parë e rendit të ditës në mbledhjen e jashtëzakonshme të datës 02.05.2025.

“Kjo pikë, sipas nesh, është miratuar në mënyrë të kundërligjshme dhe në kundërshtim me parimin e ligjshmërisë, për arsye që tashmë janë të konfirmuara edhe nga vetë MAPL. Në kërkesën tonë drejtuar MAPL-së theksohet qartë se: “Miratimi i procesverbalit është një akt teknik që ka për qëllim të vërtetojë saktësinë e përmbajtjes së dokumentit, por ai nuk ka fuqinë të sajojë një mbledhje të paligjshme. Në të drejtën administrative, parimi i pavlefshmërisë absolute parashikon se një akt që është i paligjshëm për shkak të shkeljeve themelore procedurale, nuk mund të shërohet me veprime të mëvonshme”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, kjo do të ishte e barasvlershme me përpjekjen për të legjitimuar një proces të prishur në rrënjë, duke i dhënë jetë juridike një ngjarje që është konsideruar si juridikisht e papranueshme dhe pa efekt. Sipas tij, mbledhja e datës 03.04.2025 është shpallur nga MAPL si e paefektshme juridikisht, për shkak të mosrespektimit të afatit ligjor për njoftim sipas nenit 43 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale.

“Si rrjedhojë, çdo përpjekje për të miratuar procesverbalin e saj bie drejtpërdrejt në kundërshtim me konstatimin e organit mbikëqyrës.” Gjithashtu, në kërkesën tonë kemi theksuar që një veprim i tillë rrezikon jo vetëm autoritetin e organit mbikëqyrës, por edhe krijon precedent të rrezikshëm për të ardhmen: “Fakti që po miratohet një procesverbal i një mbledhje, të cilës MAPL vetë i ka mohuar efektet juridike, përbën një kontradiktë të hapur dhe të pakuptueshme, që vë në rrezik koherencën institucionale dhe cenon parimin e ligjshmërisë”, ka thënë më tej Krasniqi.

Sipas tij, kjo është një situatë ku vetë faktet dhe aktet flasin, dhe një vendimmarrje e drejtpërdrejtë e MAPL-së është më shumë se e arsyeshme dhe e domosdoshme.

“Ne besojmë se MAPL duhet të ndërmarrë veprim konkret dhe të qartë për anulimin e kësaj pike të rendit të ditës, në përputhje me kompetencat që i jep Ligji për Procedurën e Përgjithshme Administrative, që lidhen me pavlefshmërinë dhe anulimin e akteve administrative të nxjerra në kundërshtim me procedurën ligjore. Për fund, kemi një mesazh të qartë për publikun dhe qytetarët e Shtimes e më gjerë “AVONET mbetet e përkushtuar që të ndjekë me vëmendje veprimet institucionale në nivel lokal, duke ngritur zërin në çdo rast kur cenohen parimet e ligjshmërisë, transparencës dhe demokracisë”, ka thënë Krasniqi.

Në anën tjetër MAPL-ja nuk u është përgjigjur pyetjeve të Telegrafit lidhur me shkeljet që janë bërë në Kuvendin Komunal të Shtimes. Ndërkohë me gjithë përpjekjet e Telegrafit, nuk ka qenë i qasshëm as kryesuesi i Kuvendit komunal në Shtime Adnan Ademi./Telegrafi/