Oficeri i FSK-së diplomon në SHBA dhe shpërblehet me Medalje për Arritje Ushtarake

Oficeri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kapiteni Ymërdin Hasani, ka diplomuar me sukses në Kursin e Çështjeve Civile në Fort Bragg, Karolina e Veriut, në Qendrën dhe Shkollën e Luftës Speciale “John F. Kennedy” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Siç njofton FSK, gjatë trajnimit, Kapiten Hasani është vlerësuar për rezultatet e larta dhe është nderuar me Medaljen për Arritje Ushtarake, një shpërblim që u jepet pjesëtarëve të cilët shfaqin performancë të jashtëzakonshme gjatë programeve të specializuara.
Ky kurs përqendrohet në përgatitjen e oficerëve për bashkëpunim me komunitete lokale, vlerësim të nevojave civile dhe koordinim të projekteve që kontribuojnë në stabilitetin dhe zhvillimin e zonave operacionale.
Përmes këtij trajnimi, Kapiten Hasani ka fituar njohuri të avancuara në menaxhimin e situatave civile, bashkëpunimin me institucionet vendore dhe organizatat partnere, si dhe në forcimin e ndërveprimit ndërmjet forcave ushtarake dhe popullsisë civile.
Sipas FSK-së, ai do t’i kthejë këto njohuri në shërbim të vendit, duke kontribuuar në zhvillimin dhe ngritjen e kapaciteteve të Çështjeve Civile brenda Forcës së Sigurisë së Kosovës. /Telegrafi/
















































